Lajmet e fundit

Shpresat për demarkacionin te ndërkombëtarët

kufiriEkspertët ndërkombëtarë për verifikimin e demarkacionit me Malin e Zi tashmë kanë përfunduar takimet me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të partive opozitare, me banorët lokalë, si dhe me ekspertë të fushës.
Përfaqësuesit e fshatrave përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi të gjitha shpresat i kanë te Komisioni Ndërkombëtar. Ata thonë se ky Komision i ka dëgjuar dhe i ka parë me vëmendje të gjitha faktet dhe dëshmitë e qytetarëve dhe njohësve të këtij lëmi
Madje, sipas tyre, anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar kanë dalë dhe e kanë shikuar nga afër se ku është pika kufitare dhe ku po pretendohet të jetë.
Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i bashkësisë territoriale të shtatë fshatrave përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, ka thënë për “Zërin” se rugovasit presin një vendim të drejtë nga Komisioni Ndërkombëtar, pasi që, siç deklaroi ai, vetë rugovasit i kanë ofruar mjaft fakte këtij Komisioni.
“Rugovasit presin një vendim nga Komisioni Ndërkombëtar dhe besojnë që ai ta nxjerrë një konkluzion të drejtë dhe të qartë që argumenton se puna e komisioneve ndërshtetërore për demarkimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi ka qenë në kundërshtim me parimet juridike, ligjore, faktike e historike dhe rrjedhimisht edhe krerët e pushtetit ta shpallin jovalide sepse ajo marrëveshje është në dëm të shtetit dhe mund të përmirësohet me vullnetin e tyre”, ka deklaruar Kurtbogaj.
Edhe Ali Lajçi, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, ka treguar se Komisionit Ndërkombëtar i janë ofruar mjaft fakte në lidhje me pikën kufitare me Malin e Zi.
Ai ka thënë se këtij Komisioni i janë ofruar si fakte edhe hartat që nga viti 1940 e tutje.
“Ne kemi hartat e të gjitha viteve që i japin vijat e kufirit shtetëror po flas, jo vijat e pronave të patundshme dhe të gjitha hartat, po flas për të gjitha hartat prej vitit 1940 e këtej, kufijtë nuk kanë ndryshuar mes republikave dhe kanë mbetur të tillë dhe kufijtë e tillë janë Qakorr, Kullë, Mokne. Prandaj kjo që ata e bënë (Komisioni Vendor) ishte një devijim i rëndë, humbje e mijëra hektarëve që tashmë dihet dhe kjo është e papranueshme”, ka treguar Lajçi për “Zërin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.