Në tryezën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe stafit të tij nga janari deri në mars të këtij viti janë ngrënë ushqime në vlerë 92 mijë euro. Për këta tre muaj kreu i ekzekutivit ka shpenzuar rreth 30 mijë euro më shumë për dreka zyrtare se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gazeta Fjala, sjellë shpenzimet e detajuara për zyrtarët kryesor të shtetit nga buxheti, për pjesën e parë të vitit 2016. Në dokumentet e siguruara, shihet se të gjithë kanë filluar t`i rrisin shpenzimet e luksit, përfshirë udhëtimet zyrtare, mëditjet, telefoninë mobile, karburantet e drekat zyrtare.
E veçantë del të jetë ish Presidentja, Ahtifete Jahjaga, e cila në fund të mandatit të saj duket se është munduar ta shpenzoj çdo cent të buxhetit në dispozicion, duke rritur shpenzimet në 409 mijë euro.
Ajo gjatë këtij tremujori më së shumti ka shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit në vlerë 38 mijë euro nga 4 mijë sa kishte shpenzuar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Shto këtu edhe mëditje për këto udhëtime në vlerën e 26 mijë eurove nga 9 mijë sa kishte marrë më parë.
Jahjaga është treguar dorë shlirë kur ka qenë puna edhe për dreka zyrtare. Në fund të mandatit ajo ka shpenzuar 34 mijë euro për këtë çështje. E ish presidentja pavarësisht se nuk do të vazhdonte më punën në zyrën e Presidentit për furnizimin për zyre i ka harxhuar 26 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përveç drekave e darkave zyrtare nuk e ka kursyer veten nga udhëtimet jashtë vendit e shpenzimet për telefoni mobile.
Vetëm për thirrjet telefonike, zyra e kryeministrit për tre muaj ka paguar faturën 32 mijë e 933 eurove, rreth 4 mijë euro më shumë se sa në tre muajt e parë të 2015-ës.
Ndërkohë që 111,469 euro nga buxheti i shteti, zyra e kryeministrit i ka harxhuar në udhëtime zyrtare jashtë vendit, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave të siguruar nga Gazeta Fjala.
Përveç kësaj që kabineti i kryeministrit të duket sa më bukur, për ta janë blerë veshmbathje me vlerën e afro 2 mijë eurove.
Kuvendi i Kosovës, i udhëhequr nga krye kuvendari Kadri Veseli për tre muaj në udhëtime jashtë vendit ka shpenzuar 23 mijë euro. Në këtë vit ai ka rritur shpenzimet në këtë kategori për 17 mijë euro për dallim nga viti i kaluar.
Mëditja e deputetëve dhe kryetarit i kanë kushtuar xhepit të taksapaguesve 34 mijë euro, 13 mijë euro më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2015.
Edhe për shpenzime të telefonit në Kuvend janë paguar 10 mijë euro më shumë, duke i rritur shpenzimet në vlerë prej 17 mijë eurosh.
Ndërkaq, drekat zyrtare për krye parlamentarin dhe të zgjedhurit e popullit në kanë kushtuar 28 mijë euro, që i bie 14 mijë euro më shumë së në vitin e kaluar.
Ministria e Financave, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili deri më tani është njohur si kursimtar, në raportin e fundit të siguruar nga Gazeta Fjala, shihet se e ka lëshuar dorën në shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit me 5 mijë euro për tre muaj.
Hoti më stafin e tij ka shpenzuar karburante për automjete në vlerë prej 63 mijë eurosh, që i bie 10 mijë euro më shumë se në vitin 2015.
Edhe ministria e Punëve të Jashtme nën udhëheqjen e Petrit Selimit si ushtrues detyre prinë në shpenzimet për udhëtime jashtë vendit. Kjo ministri ka shpenzuar 66 mijë euro në udhëtime.
Dikasteri i drejtuar nga Selimi ka qenë i pari edhe në shpenzimet për dreka duke shpenzuar 21 mijë euro, duke lënë pas Ministrinë e Punëve të Brendshme që ka harxhuar 17 mijë euro në këtë kategori.
Në raportin tremujor të shpenzimeve të Ministrisë së Financave të siguruar nga Gazeta Fjala, shihet se thuajse i gjithë kabineti qeveritarë kanë udhëtuar mjaftë shumë jashtë vendit.
Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka shpenzuar mbi 35 mijë euro vetëm për udhëtimet zyrtare jashtë Kosovës, derisa për tre muajt e parë të vitit të kaluar, Stavileci kishte shpenzuar rreth 13 mijë euro për udhëtime. Edhe shpenzimet e tij për akomodim gjatë udhëtimeve shihet se janë rritur vetëm për tre mujorin e parë të këtij viti. Në raportin që posedon Gazeta Fjala, thuhet se kjo i ka kushtuar kreut të MZHE-së mbi 10 mijë euro.
Ndërkaq për dreka zyrtare ai ka shpenzuar për tre muaj gati sa për tërë vitin e kaluar. Nga janari deri në mars ministria e Zhvillimit Ekonomik, me në krye Stavilecin ka shpenzuar 15 mijë euro për dreka zyrtare, nga 5 mijë euro sa kishte shpenzuar vitin e kaluar.
Telefoninë mobile nuk e kanë kursyer as në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të udhëhequr nga Memli Krasniqi, ku vetëm për telefoni mobile janë paguar 21 mijë euro apo 10 mijë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Kaq para ka shpenzuar për udhëtime jashtë vendit Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Imet Rrahmani, derisa në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë për veshmbathje kanë investuar në vlerë prej 520 mijë eurosh, 400 mijë euro më shumë se në vitin e kaluar./Gazeta Fjala/Telegrafi/