Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë se autoritetet kosovare ishin duke u përpjekur të krijojnë një ‘bazë të rreme gjyqësore’ për krijimin e forcave të armatosura të Kosovës.
Moska e ka konsideruar të papërgjegjshme iniciativën për të krijuar forcat e armatosura të Kosovës duke shtuar se kjo është kundër marrëveshjeve ekzistuese, raporton portali ‘Sputnik’.
“Vëmendje të veçantë ne ju kemi kushtuar fjalëve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delawie lidhur me mbështetjen e Uashingtonit në iniciativën për krijimin e forcave të armatosura të Republikës së vetëshpallur të Kosovës, me kusht që kjo të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Zakharova, transmeton lajmi.net.
Ajo ka shtuar se autoritetet kosovare kanë qenë duke u përpjekur të krijonin një ‘bazë të rreme gjyqësore’ për të krijuar ushtrinë.
“Fakti i rëndësisë kyçe është se ky veprim është një shkelje e drejtës ndërkombëtare dhe bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke parashikuar praninë e forcave ushtarake në rajon vetëm në bazë të mandatit të Këshillit të Sigurimit, përkatësisht KFOR-it e përbërë kryesisht nga shtetet anëtare të NATO-së”, ka theksuar Zakharova.
Sipas saj, një hap i tillë do të jetë jashtëzakonisht i papërgjegjshëm për nga pikëpamja e sigurisë në rajon dhe në kontinentin e Evropës si një tërësi.
“Shfaqja e një komponenti të ri të forcave në formën ‘forcat e armatosura të Kosovës në Ballkan do të kishte kundërshtuar marrëveshjen e Firences, e cila ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit rajonal me ndihmën e OSBE-së”.
Zakharova ka theksuar se në rast të krijimit të forcave të armatosura të Kosovës, do të nënkuptonte se “në territorin e një shteti anëtar të marrëveshjes së Firences – Serbisë – do të formohej një forcë e armatosur e pakontrolluar nga Qeveria”./Lajmi.net/