Këshilltarët komunalë të tri komunave me shumicë shqiptare në Jug të Serbisë, komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të shtunën e kaluar më 12 shtator, kanë miratuar vendimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës. Si arsye për themelimin e këtij asociacioni u dha fakti se, pushteti serb nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve të Luginës madje, me dhunë dhe terror, kanë tentuar të largojnë shqiptarët nga Lugina e Preshevës.
Drejtuesit e partive politike shqiptare në Luginë insistuan se, kur serbët në Kosovë kanë të drejtë të bëjnë një gjë të tillë për të përmirësuar kushtet e tyre të jetës, atëherë edhe tri komunat me shumicë shqiptare kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të njëjtë.
Veprimin e tyre, këshilltarët komunalë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit e mbështesin në të drejtën universale për të drejtat e njeriut të vitit 1948, në përputhje me referendumin e vitit 1992, marrëveshjen e Konçulit të viti 2001 dhe së fundit, bazuar në reciprocitetin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë kërcënuar se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë. Madje, Ivica Daçiç, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë i ka porositur shqiptarët e Luginës së Preshevës “mos luani me zjarr”.
Në Kosovë serbët e quajnë nonsens, ndërsa shqiptarët veprim logjik formimin të Asociacionit të Komunave shqiptare
Ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, në Graçanicë, për Anadolu Agency ka deklaruar se këtij veprimi nuk duhet t’i kushtohet vëmendje fare dhe as që vlen të komentohet. “Duhet të them se kjo nuk ja vlen as të komentohet. Unë këtë e shoh si manovër politike gjatë fushatës paraelektorale, para zgjedhjeve lokale që janë mbajtur në komunën e Medvegjës, të dielën. Nuk mund ta interpretojë ndryshe. Thjeshtë, atje nuk ekziston më shumë se një komunë me shumicë shqiptare në atë pjesë dhe nuk ekziston asnjë kornizë politike apo ndonjë kornizë tjetër e cila mundëson një gjë të tillë” tha Mariq.
Nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i mirë i rrethanave politike në Ballkan, Azem Vllasi e sheh si të natyrshëm themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi dhe pa pengesa ligjore, bazuar në Kushtetutën e Serbisë
“Vendimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës për ta formuar një asociacion të komunave me shumicë shqiptare ishte i drejtë dhe është i nevojshëm. Kushtetuta dhe rregullativa ligjore e Serbisë, një gjë të tillë e lejon dhe nuk mund ta pengojë. Mund ta marrin modelin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë si model” tha Vlasi për Anadolu Agency.
Ai pajtohet se situata në Serbi dhe Kosovë nuk është e njëjtë por, si shembull, Asociacioni i Komunave me shumicë shqiptare mund t’i marrë shumë gjëra, sa i përket kompetencave të veta, prej modelit të Kosovës. Për Vllasin, veprimi i të shtunës ishte vetëm një fillim deklarativ dh se tani, nevojitet shumë punë konkrete për ta jetësuar një formë të tillë të ndërlidhjes së bashkëpunimit ndërmjet të komunave me shumicë shqiptare.
Konkretisht, ai thotë se tani duhet të aprovohet statuti dhe përmes tij të përcaktohen funksionet ndërsa, tërheq vërejtjen se, ky është një Asociacion i cili nuk mund të jetë një lloj qeverie dhe nuk mund të ndikojë në çështje territoriale apo të kufijve, sepse kjo kompetencë nuk i takon një asociacioni, sikurse që nuk i takon as atij në Kosovë.
“Shumë çështje të bashkëpunimit në arsim, shëndetësi, në çështje të tjera, pikërisht si ky modeli i Kosovës, mund të përcaktohet me statut, mund të zgjidhen organet dhe ta jetësojnë atë idenë, në mënyrë që të mos jetë ajo vetëm si marketing politikë apo për inate që u bë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë” thotë Vllasi.
Ndërkohë, reagimin e zyrtarëve serbë ai e cilësoi si goxha të ashpër. Këtë reagim, Vllasi ia atribuon frikës së Serbisë e cila ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë për qëllime jo të mira. Sipas tij, qëllimet e Serbisë në Kosovë janë që, përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ta defunksionalizojnë shtetin e Kosovës dhe tani frikësohet sipas tij se ajo ide do t’iu lind në Serbi.
Për më tepër, Vllasi konsideron se Serbia frikësohet edhe prej mundësisë që një gjë e tillë të formohet edhe në Sanxhak ku gjenden tri-katër komuna me shumicë absolute boshnjake dhe në veri të Serbisë, në Vojvodinë, ku janë pesë-gjashtë komuna me shumicë hungareze. Sipas tij, edhe këto komunitete në Serbi kanë të drejtë ligjore t’i formojnë asociacionet e tyre.
“Hungarezët në veri, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe boshnjakët në Sanxhak kanë të drejtë të formojnë një asociacion të tillë dhe ta marrin modelin e Kosovës, madje të falënderojnë Serbinë për ide të mira, për me pajisur këtë Asociacion në Kosovë me kompetenca goxha të mira, t’i marrin edhe ata.
Autoritetet e Serbisë duhet të vijnë në situatë ose të thonë, dakord, për çka jemi angazhuar në Kosovë do të lejojmë në Serbi ose do të dalin haptazi me ide raciste që, çfarë ju lejohet serbëve, nuk iu lejohet shqiptarëve, boshnjakëve dhe hungarezëve në Serbi” tha Vllasi.
Ai nuk beson se Serbia do të përdorë mjete të dhunës për ta ndaluar iniciativën e shqiptarëve por, më shumë e sheh si reagim parandalues, për t’i frikësuar shqiptarët.
Në të kundërtën, sipas tij, Serbia do të jetë në kundërshtim me vetveten.
“Derisa u angazhua aq shumë, me ndihmën e Brukselit që të bëhet një Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, tani të thotë se, në territorin e Serbisë nuk lejojmë, ajo nuk kalon. Prandaj, do të jetë e kujdesshme, ndonëse e ka frikën, siç thash, jo vetëm prej shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe prej boshnjakëve të Sanxhaku dhe hungarezëve në veri, përreth Suboticës” insiston Vllasi.
Bashkësia ndërkombëtare nuk guxon të ketë standarde të dyfishta lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare
Lidhur me reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht Bashkimit Evropian i cili ka qenë lehtësues i arritje së marrëveshjes së Brukselit, Azem Vllasi tha se: “BE-ja nuk guxon të ketë standarde të dyfishta dhe nuk beson që nga bashkësia ndërkombëtare do të manifestohen standarde të dyfishta”.
“Kjo tani është se, çka ka dëshiruar Serbia si autore e një modeli të tillë të Bashkësive të Komunave, ndonëse serbët kanë menduar vetëm për në Kosovë, do të bëhet model i cili në Serbi nuk mund të ndalohet. Prandaj, Bashkësia ndërkombëtare aty do të jetë deri në fund neutrale” vlerëson Vllasi duke shtuar se, nëse Serbia synon Unionin Evropian duke e përdor politikën e standardeve të dyfishta të stilit ‘Çka kërkojnë për serb, nuk lejohet për të tjerë’, atëherë kjo politikë nuk do të kaloi tek bashkësia ndërkombëtare.
BE-ja: Asociacioni i komunave shqiptare në Serbi nuk mund të krahasohet me Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë
Ndërkohë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Federica Mogherinit, Përfaqësuese së lartët të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, si dhe nënkryetares së Komisionit Evropian, ka deklaruar që, Bashkimi Evropian nuk përkrah krahasimin e themelimit të Asociacionit të Komunave shqiptare në Serbi me Asociacionin e Komunave serbe që do të formohet në Kosovë.
Kocijançiq deklaroi që, arritja e marrëveshjes në Bruksel, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka qenë si rezultat i bisedave të nivelit më të lartë ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Më tej, lidhur me pozitën e shqiptarëve të cilët jetojnë në jugun e Serbisë, zëdhënësja e Mogherinit tha se: “BE-ja pret nga Serbia që ti përmbushë obligimet ndërkombëtare për respektimin e drejtave të njeriut dhe të pakicave, që dalin nga korniza e Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe nga Karta Evropiane për pakicat”.