A fshihet PDK-ja në prapaskenën e tensioneve të krijuara nga opozita
Nëse protestat e opozitës rrezikojnë apo jo qeverinë, pavarësisht nga përgjigja, duket se mund të ketë hapësirë që me veprimet e saj, opozita të dëmtoj raportet në mes të LDK-së dhe PDK-së. Një mossukses i Qeverisë do t’i faturohej më së shumti Kryeministrit aktual.
Lidhur me këtë shumë njohës të çështjeve politike mendojnë se, brenda PDK-së ka disa përpjekje të kontrolluara të nxitjes së opozitës, të cilat janë të fuqishme për të dobësuar Kryeministrin, por njëkohësisht të pafuqishme për të shkaktuar rrëzimin e Qeverisë. Gjithashtu PDK-së vështirë se i konvenon një qeveri e suksesshme, e cila përfundimisht do të fundoste primatin e saj elektoral. Një LDK e stabilizuar do të ishte në gjendje të rikthej elektoratin e saj, për të cilin përgjithësisht mendohet se nuk e ka humbur dhe se ai nuk ka ikur në parti të tjera, por më parë ka një abstinencë të theksuar. Në mesin e njohësve të çështjeve politike, është e vështir një qeveri pa LDK-në, ngase kjo forcë politike qëndron si garant stabiliteti në procese të ndërlikuara nëpër të cilat po kalon vendi.
Ka kaluar koha e ‘gjuetisë së shtrigave’
Z.Skender Zogaj, publicist dhe njohës i mirë raporteve ndërpartiake mendon se opozita ka një çakordim brenda saj, pavarësisht marrëveshjeve që duken vizuelisht në shesh. Përpjekjet për të rikthyer kohën, siç e quan ai të gjuetisë së shtrigave, janë të perënduara.