Gianni De Biasi vazhdon t’i besojë verbërisht grupit të lojtarëve që ka afruar kombëtaren shqiptare te një kualifikim historik në Euro 2016.
Për këtë arsye, trajneri italian ka vendosur që për ndeshjet vendimtare kundër Serbisë dhe Armenisë, të grumbullojë të njëjtin grup lojtarësh që kishte në dispozicion për ndeshjet e shtatorit.
Trajneri është i lumtur, pasi me përjashtime të vogla, futbollistët shqiptarë po luajnë rregullisht me klubet e tyre në Europë. Por ai do të kërkojë të ketë të gatshëm edhe disa futbollistë nga Kategoria Superiore, për të përballuar pezullime të mundshme për takimin e dytë ndaj Armenisë.
Me përjashtim të ndonjë dëmtimi të paparashikuar, De Biasi ka planifikuar që për grumbullimin e ardhshëm të kombëtares të thërrasë të gjithë futbollistët që kishte ftuar për sfidat kundër Danimarkës dhe Portugalisë, shkruan Gazeta Shqip.
Trajneri i ka vënë gjithmonë një theks të veçantë konsolidimit të grupit dhe mendon se me përzgjedhjen e bërë një muaj më parë, ai ka goditur në shenjë si për sa i përket cilësisë së lojtarëve të grumbulluar, ashtu edhe gatishmërisë së tyre për të zbritur në fushën e lojës në çdo moment për të dhënë kontributin për fanellën kuqezi.
Krijimi i një grupi nga i cili mund të ndërtohen dy skuadra të barasvlefshme ka qenë gjithmonë objektivi i teknikut të kuqezinjve, i cili tashmë ka mundësinë të zgjedhë qetësisht mes lojtarëve.
Ajo që ngroh më shumë trajnerin është aktivizimi më i rregullt i futbollistëve, të cilët pritet të zbresin në fushë për ndeshjen shumë të rëndësishme përballë Serbisë më 8 tetor. Lojtarë si Cana e Basha, të cilët sapo u ishin bashkuar klubeve të reja, luajtën ndeshjet e para të sezonit pikërisht me fanellën e përfaqësueses, situatë që tashmë ka ndryshuar, sepse ata po aktivizohen rregullisht me ekipet e tyre.
Edhe ata lojtarë që nuk ishin në formën e tyre më të mirë fizike si Hysaj dhe Roshi, tashmë luajnë rregullisht me ekipet e tyre. Kjo i garanton trajnerit se do të ketë në dispozicion një grup ku lojtarët janë në gjendje optimale fizike dhe sportive për të përballuar një ndeshje me intensitet shumë të lartë si ajo ndaj Serbisë.
Trajneri pret ende një përgjigje nga Mërgim Mavraj, i cili synon të riaftësohet në kohë për të luajtur kundër Serbisë. Por nga ana tjetër, De Biasi është i qetë, pasi Arlind Ajeti ka dhuruar paraqitje mbresëlënëse në shtator, ndonëse ende është pa një ekip dhe tri ndeshjet e vetme që ka luajtur në 6 muajt e fundit kanë qenë të gjitha me fanellën kuqezi.
Megjithatë, pritet që Mavraj të jetë pjesë e grupit edhe nëse nuk do të riaftësohet, për të mbështetur ekipin nga afër, siç bëri para takimit kundër Portugalisë.
Meqë në radhët e kombëtares shqiptare janë 4 futbollistë të cilët rrezikojnë pezullimin nëse marrin një karton të verdhë në takimin e radhës ndaj Serbisë, De Biazi do të grumbullojë një numër më të madh lojtarësh për dy ndeshjet e radhës, që të mos ketë surpriza të pakëndshme ndaj Armenisë.
Kandidatët kryesorë për t’u kthyer pjesë e grupit kuqezi pas një mungese të gjatë janë Alban Meha, Armando Vajushi dhe Jahmir Hyka, të gjithë futbollistë të cilët po shkëlqejnë në këtë fillimsezoni me klubet e tyre dhe pretendojnë për një tjetër shans në radhët e kuqezinjve.
Por, trajneri nuk ka vendosur ende nëse do të kthejë këta lojtarë, të cilët për një arsye apo një tjetër nuk e kanë bindur sa herë që kanë veshur fanellën kuqezi. De Biasi ka përdorur mosaktivizimin apo dëmtimet si justifikim në mosgrumbullimet e mëparshme, edhe pse është përfolur shpesh se ato kanë qenë pasojë e përplasjeve që ka pasur me futbollistët në fjalë.
Nëse ai do të vendosë t’u qëndrojë besnik vendimeve të mëparshme, në vend të tyre, në listë do të jenë disa futbollistë të kampionatit shqiptar, të cilët kanë qenë edhe më parë pjesë e kuqezinjve, si Arapi, Lilaj apo Karabeci.