Në pakon e projektligjeve që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave, të miratuar të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, ka kaluar me urgjencë edhe Ligji për financimin e partive politike, një ligj në të cilin Komisioni i buxhetit kishte bërë disa amendamente serioze, të cilat binin ndesh me parimet e përcaktuara nga Komisioni Evropian, e që janë ndërtuar në projektligjin e harmonizuar gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Bruksel.
Mirëpo, gjatë punimeve të seancës së fundit, para se të vijë radha e votimit të këtij ligji, ka pasur një reagim të shpejtë të Zyrës së BE-së në Prishtinë, e cila ka kërkuar që e tërë materia e projektligjit për miratim të rikthehet në versionin që ka arritur në Qeverinë e Kosovës nga zyra e Brukselit, me ndonjë përjashtim të ndërhyrjes, apo saktësimit gjuhësor, për shkak të natyrës së përkthimit të ligjeve, shkruan “Kosova Sot”.
Sidomos ka qenë kontestuese nga Komisioni Evropian përpjekja e eliminimit që raportet financiare të partive politike të mos dërgohen në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe përpjekja tjetër që ndikohet në uljen e pragut prej 100 euro në 20 euro.
I kontaktuar nga gazeta, anëtari i komisionit, Xhevdet Neziraj, e pranoi së gjatë së mërkurës komisioni është mbledhur urgjentisht dhe ka rishqyrtuar kërkesën e Komisionit Evropian që ndryshimet e propozuara nga komisioni për çështjet më të ndjeshme në ligj të mos kalohen për votim në seancë, gjë që edhe ka ndodhur.
“Patëm takim urgjent, sepse Ligji për financimin e partive politike është dashur që ta ndryshojmë përsëri, ngase ne në procedurën paraprake patëm ndërhyrë në dy tre nene dhe na është dashur që të njëjtat t’i rikthejmë në version të cilin e ka kërkuar Komisioni Evropian”, tha Xhevdet Neziraj.