Lajmet e fundit
Albin Kurti: Hashim Thaçi e Isa Mustafa të varur, të paditur e moskokëçarës!

Albin Kurti: Hashim Thaçi e Isa Mustafa të varur, të paditur e moskokëçarës!

Themeluesi i “Vetëvendosjes” flet hapur në Javanews për ashpërsimin e luftës së Opozitës së Kosovës, papërgjegjshmërinë e qeveritarëve të Prishtinës dhe federalizimin e Republikës, në formën e Bosnjës, që ndjell pasiguri për të ardhmen, por edhe për shumë tema të tjera…

Intervistoi Ben Andoni

“Ndjenja e përgjegjësisë së Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit është porsi vërshëllima e një adoleshenti teksa kalon pranë varrezave të qytetit. Janë gjithsesi të varur por janë edhe të paditur e moskokëçarës. Sigurisht që këta negociatorë të varur po na e varin edhe pavarësinë, këta udhëheqës të varur po ia heqin udhën shtetit. Ata janë të shantazhuar për shkak të korrupsionit të tyre, por ama janë edhe shpërfillës ndaj vullnetit, interesit, të drejtës dhe nevojave të popullit të Kosovës”. Ky është këndvështrimi i Kurtit për tre njerëzit kryesorë te negociatave me serbët.  

Dhe, Albin Kurti ka treguar se është modeli i politikanit shqiptar, i cili është i kthjellët në parashikimet e tij. Tetë vjet më parë zëri i tij i ngjante zërit të një të humburi në shkretëtirë, kur parashikonte Asosacionin e komunave serbe!! E përqeshnin politikanët e sotëm, por edhe e etiketonin si të çmëndur. Ai arriti që formacionin e tij “Vetëvendosja”, që vazhdonte në një stad më të lartë aspiratat e luftës së Kosovës, t’i çonte në një rrafsh demokratik pavarësie. Që do të thoshte se Kosova duhet të kishte forcën e saj mbrojtëse, se ajo nuk duhej të paguante borxhet me Serbinë, por edhe më shumë akoma…të ishin të kujdesshëm në festimet panegjirike. Është ndoshta zëri më i elaboruar i mëvetësisë së Kosovës, por më shumë se kaq: kritik dhe i ashpër. Veç pavarësisë, për të cilën ka qenë nga njerëzit e veçantë që ka kontribuar, ai e quan atë që ka ndodhur në Kosovë regresive. Arsyet janë: 1) pranimi i misioneve ndërkombëtare si EULEX për të qeverisur segmente të pushtetit sovran; 2) pakoja e Ahtisaarit e cila kufizon vazhdimisht sovranitetin e shumicës duke lënë Kosovën si një shtet të gjymtuar, përjetësisht të pabarabartë, e njëkohësisht duke i hapur rrugën Beogradit përmes instrumentalizimit të minoritetit serb në Kosovë që parashihet si një “superminoritet”; dhe 3) vetë festa për pavarësinë. Përmes festës u mashtrua publiku dhe qytetarët, dhe “festa” të tilla sot e kësaj dite përdoren si lugë e zbrazët me të cilën ushqehet një shtet i dënuar me uri, që është vetë Kosova.

Juve jeni shprehur që vite më parë me paralajmërimin e krijimit të Asosacionit të Komunave serbe dhe më shumë se kaq rrezikshmërinë e tij. Atëkohë u interpretua pak si çmenduri nga qeveritarët tuaj. Si reagojnë sot në Kosovë ata që e kanë mohuar këtë paralajmërim?

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar së paku 8 vite më parë për këtë që po ndodh, jo për ndonjë arsye profetike, por duke analizuar vetë proceset në të cilat kjo koniukturë drejtuese, që edhe sot është e njëjta, e ka detyruar Kosovën.

Analizat tona janë kundërshtuar më së shumti në atë kohë, duke angazhuar një aparat të tërë mediatik për të bindur njerëzit se ne e kishim gabim. Asokohe ata thoshin se Pakoja e Ahtisaarit do të ishte sakrifica e fundit e dhimbshme për Kosovën, ndërsa ne thoshim se shumë shpejt Kosovës do t’i kanoseshin të këqija edhe më të mëdha, në formën e federalizimit të brendshëm etnik, sipas modelit të Bosnjës.

Decentalizimi mbi baza etnike që formoi komuna me shumicë serbe, principi i shumicës së dyfishtë në Kuvendin  e Kosovës që praktikisht ua mundësonte deputetëve serbë të drejtën e vetos, shuarja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës si pasardhëse e UÇK-së dhe kalimi te Forcat e Sigurisë së Kosovës të mbyllura në kazerma e që nuk janë as xhandarmëri policore, betonimi i protektoratit ndërkombëtar duke zëvendësuar UNMIK-un me EULEX-in por pa ndryshuar paradigmën që sakrifikon demokracinë, zhvillimin e drejtësinë për paqe, stabilitet e siguri duke i përjetësuar këto si të brishta, eksterritorialiteti mijëra hektarësh i 45 kishave dhe manastireve ortodokse që gabimisht e padrejtësisht quhen serbe, dhe, pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë pa na e paguar ajo asnjë cent dëmshpërblim për shkatërrimet, humbjet e vuajtjet e luftës, paraqesin gjatë faqet e padrejtësisë së Pakos së Ahtisaarit. Gandhi thoshte që nuk duhet të bësh kompromis në qendër. Pra, kompromiset janë të pranueshme vetëm në periferi, jo në qendër. Pakoja e Ahtisaarit ishte kompromis në qendër andaj nuk mund të ishte kompromisi i fundit.

Parashikimi ynë bazohej pikërisht në atë çka lejonte Pakoja e Ahtisaarit, një dokument që hapte mundësitë dhe opsionet politike për serbët e instrumentalizuar nga Beogradi, dhe, në të njëjtën kohë, kushtëzonte në gjithçka popullsinë shumicë të Kosovës.

Megjithatë, në atë kohë, pushtetarët u treguan të aftë që të shpërqendronin publikun, për shkak se u shpall pavarësia e Kosovës, dhe askush nuk dëshironte të mendonte gjatë për këto probleme përveç nesh. Sot e shohin që patëm të drejtë. Pakoja e Ahtisaarit ishte qartazi e keqe për Kosovën por jo edhe mjaftueshëm e mirë për Serbinë e pangopshme. Sikurse privatizimin neoliberal, ashtu edhe negociatat me Serbinë, nuk i ndali shpallja e pavarësisë së Kosovës. U vazhdua dialogu për kompromise të reja që Serbia të mos mbetej e pakënaqur.

Edhe sot këta po i thonë Kosovës se marrëveshja e 25 gushtit 2015 është sakrifica e fundit që vendi ynë duhet të bëjë. Mirëpo, me përgjegjësi të plotë politike ne duhet të themi se as kjo nuk ka për të qenë sakrifica e fundit. Nëse marrëveshja e 25 gushtit pranohet prej popullit të Kosovës, shumë shpejt serbët e Kosovës do të shpallin autonominë, ose do të kërkojnë pavarësimin e territoreve të përfshira në Asociacion – dhe kjo do të jetë katastrofale për shqiptarët që jetojnë në ato vende, pasi do të jetojnë gjithnjë nën kërcënimin e spastrimit. Po ashtu do të jetë katastrofale për ekonominë e Kosovës, sovranitetin e saj, dhe situatën specifike të shqiptarëve në Ballkan”.

Duket sikur Kosova është shtet dhe nuk është e tillë me ato që negocion. A ka një lloj papërgjegjshmërie të negociatorëve kosovarë në ato që negociojnë në Bruksel me Serbinë apo është kinse për të fshehur vartësinë e tyre?

“Ndjenja e përgjegjësisë së Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit është porsi vërshëllima e një adoleshenti teksa kalon pranë varrezave të qytetit. Janë gjithsesi të varur por janë edhe të paditur e moskokëçarës. Sigurisht që këta negociatorë të varur po na e varin edhe pavarësinë, këta udhëheqës të varur po ia heqin udhën shtetit. Ata janë të shantazhuar për shkak të korrupsionit të tyre, por ama janë edhe shpërfillës ndaj vullnetit, interesit, të drejtës dhe nevojave të popullit të Kosovës.

Kur është shpallur pavarësia e Kosovës ne kemi thënë se u bë një hap përpara dhe tre hapa pas. Hapi përpara ishte vetë shpallja, pasi padyshim se Kosova duhet doemos të jetë e pavarur, dhe pavarësia e saj rrjedh prej luftës çlirimtare të UÇK-së e prej bashkëpunimit me aleatët e saj. Por hapat pas janë ato që po aktualizohen sot, e që shfaqen edhe në pyetjen tuaj. Këto hapa pas ishin: 1) pranimi i misioneve ndërkombëtare si EULEX për të qeverisur segmente të pushtetit sovran; 2) pakoja e Ahtisaarit e cila kufizon vazhdimisht sovranitetin e shumicës duke lënë Kosovën si një shtet të gjymtuar, përjetësisht të pabarabartë, e njëkohësisht duke i hapur rrugën Beogradit përmes instrumentalizimit të minoritetit serb në Kosovë që parashihet si një “superminoritet”; dhe 3) vetë festa për pavarësinë. Përmes festës u mashtrua publiku dhe qytetarët, dhe “festa” të tilla sot e kësaj dite përdoren si lugë e zbrazët me të cilën ushqehet një shtet i dënuar me uri, që është vetë Kosova.

Ne nuk na duhen festat, por puna, zhvillimi, mirëqenia dhe shteti. Nëse këto të katërta na pengohen, atëherë pavarësia jonë është vetëm sipërfaqësore. Këtë pavarësi sipërfaqësore na duhet ta përmbajtësojmë, pra na duhet t’i japim edhe thellësi.

Njësoj është edhe me aleancat tona ndërkombëtare. Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! nuk jemi për ndryshim të aleancave strategjike të Kosovës dhe të shqiptarëve, por jemi për thellim të tyre. Mendojmë se këto aleanca deri më sot janë mbajtur në nivel sipërfaqësor, prej një establishmenti që kurrë nuk ka ditur të drejtojë, e as të negociojë. Këtyre pushtetarëve u ka munguar integriteti, sepse kanë qenë të korruptuar, por u ka munguar edhe dija, sepse kanë qenë injorantë. Me negociatorë të tillë Kosova nuk ka nevojë për armiq.

Po të ndryshojë koniuktura drejtuese, të vijë në fuqi një grup i udhëhequr nga parimet, me integritet moral e kombëtar e sidomos me dije e aftësi, ne jemi të sigurt se edhe marrëdhëniet e Kosovës me Uashingtonin e Brukselin do të bëheshin cilësisht më të mira, dhe kjo do të reflektohej edhe në përmbajtësimin e pavarësisë së Kosovës”.

Nga qeveritarë tuaj është thënë se me Serbinë nuk mund të diskutohet për çështjet e brendshme të Kosovës, por Serbët tani kanë Zajednicën, telefoninë mobile dhe energjinë. A tregon në një farë mënyrë se Kosova ka një vartësi indirekte nga Serbia, sipas jush?

“Po t’ia nisësh të shqyrtosh mashtrimet e qeveritarëve tanë, nuk të del një jetë e tërë qoftë edhe sikur vetëm t’i përmendësh ato nga një herë.

Ata kanë thënë se negociatat nuk do të jenë politike, e ndërkohë na krijuan një entitet me territor, demografi e me organe qeverisëse brenda Kosovës. Pra krijuan kushtet për një para-shtet. Ky para-shtet reflektohet edhe tek ato që përmendni ju, pra tek kontrolli i tregut në territorin e vet, qoftë treg i telekomunikacionit, qoftë i energjisë. Para disa ditësh ata madje u shprehën se edhe burimet e ujit të pijshëm që furnizojnë krejt Kosovën, e që gjenden në atë territor, do të kontrollohen prej tyre. Praktikisht Kosovës do t’i duhet ta blejë ujin, nëse pranon Zajednicën.

Por ne nuk do ta tolerojmë Zajednicën, nuk do të lejojmë që ajo të ratifikohet e të marrë fuqi ligjore në Kosovë.

Sa i përket pyetjes suaj, po të pranohet Zajednica, varësia e Kosovës nga Serbia nuk do të jetë indirekte, por direkte. Me marrëveshjen e 25 gushtit dhe me Pakon e Ahtisaarit, politika e brendshme në Kosovë do të jetë e varur prej dy instancave shtesë, grupit serb në Kuvendin e Kosovës, që gëzon të drejtën e shumicës së dyfishtë për ligjet e rëndësishme, si dhe Zajednicës, si një element i tretë i pushtetit, me të cilën duhet të negociohet për gjithçka, për gjykatat, për policinë, për shkollat, shëndetësinë, ekonominë, madje në një të ardhme edhe për ushtrinë e Kosovës. Grupi parlamentar i minoritetit serb si edhe Zajednica kontrollohen tërësisht prej Listës Serbe, që është e formuar në Beograd dhe që nuk i fsheh asnjëherë veprimet e saj në konkordancë të plotë me qeverinë e Serbisë”.

Pse e keni ashpërsuar gjuhën dhe veprimin me qeverinë?

“Ne jemi përpjekur të argumentojmë qëndrimin tonë në debate publike, dhe praktikisht i kemi fituar të gjitha këto debate. Një qeveri e cila nuk ka argumenta, por që vazhdimisht kapet duke mashtruar, duke vjedhur e duke kërcënuar, nuk është një qeveri me të cilën mundesh të ndërveprosh demokratikisht.

Kosova, sipas gjithë treguesve të matur nga organizata ndërkombëtare të ndryshme, është një shtet gjysmë-autoritar. Por, ne që jetojmë këtu e dimë se në fakt është një gjysmë-shtet autoritar.

Në një vend demokratik ne do të mund t’i drejtoheshim gjykatave të pavarura, apo vetë Kuvendit, si organi më i lartë legjislativ. Mirëpo në Kosovë gjyqësori është shndërruar në një pazar të mjerë. Dhjetëra mijëra lëndë presin me vite për t’u gjykuar, ndërkohë që mjaftojnë fare pak çaste për të dënuar një qytetar që shan qeverinë në facebook. Pastaj, kemi ende të freskët rastet qesharake me organin më të lartë të gjyqësorit, Gjykatën Kushtetuese, e cila gjatë vitit 2014 tregoi se ishte nën kontrollin e plotë të qeverisë. Njësoj edhe Kuvendi, i cili pasi votoi për mospranimin e Gjykatës Speciale, u detyrua të rivotojë për pranimin e saj. Gjëra pra që nuk ndodhin askund në botën e qytetëruar.

Në këtë regjim të paparashikueshëm, ku mbretëron vetëm ligji i forcës, ne jemi të detyruar që për të mbrojtur të ardhmen tonë dhe të të gjithë qytetarëve, për të shmangur bosnjëzimin e Kosovës, të jemi të prerë e të qëndrueshëm në presionin që do t’i ushtrojmë kësaj qeverie. Ajo i ka vetëm dy zgjidhje, ose të anulojë marrëveshjen e 25 gushtit, ose të bjerë prej pushtetit bashkë me atë marrëveshje.

Presioni ynë tashmë ka nisur, me një peticion që do të jetë peticioni më i madh në historinë e Kosovës. Po ashtu do të përgatitemi për protesta të mëdha. Nuk mundet të kthehet Kosova në varësinë e Beogradit, së paku jo demokratikisht”.

A jeni në të njëjtën valë perceptimi për performancën e qeverisë së Kosovës me anëtarët e tjerë të Opozitës? Pse shpesh jeni krejt të vetëm në veprimet tuaja?

“Bashkëpunimi me forcat e tjera opozitare ka qenë mjaft i mirë deri më tash. Jemi bashkërenduar në veprimet tona, dhe kemi deklaruar njëzëri qëndrimet tona ndaj qeverisë e ndaj proceseve që po ndodhin.

Edhe në veprimet tona jemi së bashku me forcat opozitare, si në organizimin e peticionit, ashtu edhe në organizimin e protestave. Shpresoj që ky bashkërendim opozitar të zgjasë e të pamundësojë vazhdimin e qeverisjeve të papërgjegjshme për Kosovën.

Që prej 2014 ne kemi një opozitë të bashkuar, për herë të parë në Kosovë, dhe kjo është merita e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila e nisi dhe e udhëheq këtë proces. Opozitat e mëparshme kanë qenë të fragmentuara dhe të fraksionuara, për shkak se pushteti i ka përçarë ato.

Në qëndrimet tona ne nuk jemi vetëm, përgjithësisht kanë qenë mediat qeveritare ato që kanë këmbëngulur se ne jemi vetëm. Psh. kësaj radhe, kundër Zajednicës nuk po flasim vetëm ne. Ka folur njësoj si ne edhe Sonja Biserko, aktiviste e të drejtave të njeriut në Beograd, kanë folur politikanë serbë të Kosovës, kanë folur profesorë e diplomatë të huaj, psh. ai amerikan Daniel Server, etj. Po ashtu, kundër Zajednicës kanë dalë një pjesë e mirë e opinionistëve dhe e shoqërisë civile në Kosovë, kuptohet, ajo pjesë që nuk është e kontrolluar nga segmente të pushtetit. Pra nuk jemi vetëm. Kësaj radhe mbështetja për argumentet tona ndoshta është më e gjerë se kurrë më parë. Madje dhe zëra nga qeveria po e pranojnë se kjo marrëveshje është tejet e dëmshme për Kosovën. Na takon neve që ta ndalim atë”.

A ka një domethënie për Ju indiferenca e qeveritarëve shqiptarë të Tiranës ndaj vizitës së presidentes aktuale të Kosovës?

“Një presidente e Kosovës e cila e bën vizitën në Tiranë vetëm kur arrin në fund të mandatit të saj nuk është normale. Presidentët e Shqipërisë zakonisht e kryejnë vizitën në Prishtinë në fillim të mandatit të tyre.

Por presidentja aktuale e Kosovës është produkt jo i vullnetit të popullit të saj, por i një zarfi. Ajo është produkt i një vullneti që dëshiron ta shohë Kosovën sa më larg Shqipërisë, dhe që siç po shohim, është angazhuar në integrimin direkt të Serbisë në Kosovë.

Qeveritarët e Kosovës deri më tash janë treguar indiferentë ndaj Shqipërisë, dhe e kanë mbajtur atë larg e të painformuar për çështje të rëndësishme politike siç janë negociatat në Bruksel, dhe vetë marrëveshja e 25 gushtit 2015. Pra, ndërkohë që serbët kudo që gjenden në Ballkan koordinohen me Beogradin, shqiptarët nuk koordinohen ndërmjet vedi. Kjo vetëm sa e ul peshën e tyre në negociata, dhe favorizon serbët”.

Si e parashikoni situatën politike të Kosovës?

Në muajt e ardhshëm do të ketë angazhime të gjera popullore për ndaljen e Zajednicës dhe për kundërshtimin e qeverisë. Këto lëvizje popullore do të koordinohen nga opozita e nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, dhe kanë për të çuar në një ndryshim të madh në Kosovë.

Jemi të vetëdijshëm se nuk ka për të qenë parajsë situata, as kur ta ndërrojmë këtë qeverisje, pasi Kosova është vend i vogël dhe i varfër, me një fqinjë të rrezikshëm si Serbia.

Por unë personalisht jam optimist dhe besoj se nëse e analizojmë situatën pa u vetëmashtruar, e nëse veprojmë pa gënjyer as popullin e as ndërkombëtarët, në përputhje me interesat tona për pavarësi, për demokraci, zhvillim e për stabilitet në rajon, do të kemi zhvillime pozitive për Kosovën. Por këto zhvillime pozitive nuk kanë për të ardhur pa u rrëzuar kjo koniukturë drejtuese”./Javanews, Tiranë

Leave a Reply

Your email address will not be published.