Në rastin e Kosovës, institucionet nuk e morën seriozisht valën e refugjatëve të fillimvitit 2015! Nuk u ndërmorr asnjë masë për ofrimin e mundësive që kosovarët të ndihen më mirë në Kosovë dhe as për të kthyerit. Nuk u ndërtua asnjë shpresë për përmirësim të jetesës! Përkundrazi, u rrokullis edhe më tutje e përditshmja e kosovarëve
A do të ketë edhe një valë të re refugjatësh nga Kosova për Evropë?
Kjo, sigurisht, është një prej pyetjeve të shpeshta që po bëjnë analistët e sigurisë nga vendet evropiane. Nëse vjeshta e këtij viti do të përcillet edhe nga një numër kosovarësh që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian, atëherë domosdoshmërisht kemi të bëjmë me një situatë krejtësisht të pashpresë për rrugën evropiane të Kosovës. Besoj se kjo është minimumi që mund të konstatohet!
Por, çka po ndodh në të vërtetë? Cilat janë sinjalet që mund të ndikojnë në një valë të re refugjatësh kosovarë? Apo, edhe refugjatësh ballkanikë?
Janë disa elemente që patjetër se duhet të analizohen në këtë kontekst.
Së pari, vendet evropiane, dhe në veçanti Gjermania e pasur po dërgon sinjale publike për mundësinë e pranimit të refugjatëve nga gjithandej. Pavarësisht se ekziston një përpjekje për të shpallur vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, si “vende të sigurta”, kjo është në shpërputhje me mesazhin e diskurit publik që vjen nga politika dhe shoqëria gjermane.
Qeveria dhe populli gjerman është tronditur fillimisht nga numri i madh i refugjatëve nga Ballkani Perëndimor, e më pas edhe nga Siria. E djathta ekstreme gjermane, realisht, ka nxitur shumicën gjermane që te jetë pranuese ndaj refugjatëve, pikërisht për faktin e reagimit të ashpër të ekstremistëve të djathtë. Prandaj, qeveria dhe shumica e shoqërisë gjermane ka zgjedhur “humanitetin” përballë “ekstremizmit”.
Për më tepër, industria gjermane ka dhënë mesazhe të qarta publike për nevojën e fuqisë punëtore të trajnuar apo kualifikuar. Madje, udhëheqësit e industrisë gjermane janë ankuar se “detyrohen të mos zhvillojnë industrinë e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore!”.
Së dyti, vendet evropiane pritet të pranojnë përafërsisht rreth 2 milionë refugjatë, pothuajse të gjithë nga Siria. Rreth 1 milion vetëm në Gjermani, sërish! Dhe, tashmë, është e identifikuar një sistem i “çuditshëm” që grupe kriminale shqiptare përdorin për të ashtuquajturën “blerje të identitetit” të sirianëve. Pra, grupe kriminale kanë filluar që të blejnë “letrat” e sirianëve dhe të dërgojnë kosovarë që paraqiten si sirianë në Gjermani.
Së treti, një numër i të kualifikuarve apo trajnuarve në Kosovë, sikurse edhe në disa vende tjera të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë ‘luftën’ e përditshme për të gjetur një vend pune në shtetin e tyre. Porse, kjo situatë është kthyer në një ‘luftë të përditshme’ për pothuajse 16 vjet dhe si e tillë ka ndikuar në humbje të çfarëdolloj shprese!
Së katërti, mundësitë e ndryshimit të shpejtë të situatës së gjithmbarshme në Ballkanin Perëndimor janë venitur që një kohë të gjatë. Qeverisjet gjysëm-autokratike, diskursi i manipulimit publik politik, mungesa e investimeve të huaja direkte, mungesa e zhvillimit ekonomik, nepotizmi dhe korrupsioni i lartë, sikurse edhe krimi i organizuar vazhdojnë të ndikojnë në stagnimin e përgjithshëm të shteteve ballkanike.
Së pesti, në rastin e Kosovës, institucionet nuk e morën seriozisht valën e refugjatëve të fillimvitit 2015! Nuk u ndërmorr asnjë masë për ofrimin e mundësive që kosovarët të ndihen më mirë në Kosovë dhe as për të kthyerit. Nuk u ndërtua asnjë shpresë për përmirësim të jetesës! Përkundrazi, u rrokullis edhe më tutje e përditshmja e kosovarëve.
A do të jetë kjo e mundshme për t’u parandaluar?
Në fakt, gjithçka mund dhe duhet të bëhet!