Eksporti nga Kosova drejt Shqipërisë, nga fillimi i shtatorit është bërë më i shtrenjtë.
Të gjitha mallrat që eksportohen, importohen apo edhe kalojnë transit do të futen në skaner, për t’i shmangur nënraportimet, por edhe për ta parandaluar kontrabandën dhe transportin e narkotikëve.
Megjithatë në pikën kufitare në Vërmicë, ekziston vetëm një defekt i vogël: skaneri ende nuk është funksionalizuar.
KTV-ja ka gati një javë që ka pritur një përgjigje nga Doganat e Shqipërisë, për të konfirmuar nëse është vendosur apo jo një skaner i këtillë në këtë pikë, por nuk ka marrë përgjigje.
Doganierët në këtë pikë kanë konfirmuar jo zyrtarisht se ende janë duke vazhduar punimet për ta funksionalizuar skanerin.
E fakti që nuk ka skaner, nuk ka qenë pengesë për zyrtarët doganierë që kosovarëve që eksportojnë në Shqipëri, t’ua marrin nga 22 euro për këtë taksë.
Për “Taksën e Skanimit”, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë të kenë diskutuar me autoritetet në Shqipëri, por që nuk mund të bëjnë zgjidhje për të.