Greva e kandidatëve për studentë që kanë bllokuar sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës duket se nuk është më shumë sesa një manipulim me korrespondencën në mes të Rektoratit dhe të Ministrisë që është zhvilluar në përgatitje të shpalljes së konkursit për vitin akademik 2015/16.
Në qershor të këtij viti Universiteti i Prishtinës ka dërguar në MASHT propozimin për regjistrimin e 7880 studentëve të rinj, në mesin e të cilëve kanë qenë 70 kandidatë për Stomatologji dhe 40 kandidatë për Farmaci. Ministria e ka aprovuar këtë propozim, por aty ka munguar një nga programet e FSHMN – Matematika Financiare. Rektorati ka kërkuar nga Ministria që ky gabim të përmirësohet, duke propozuar regjistrimin e 30 kandidatëve për këtë drejtim. Për të mos e ndryshuar totalin prej 7880 studentëve, Rektorati ka propozuar zvogëlimin e numrit të studentëve në Stomatologji nga 70 në 50, ndërsa në Farmaci nga 40 në 30.
ORAinfo posedon gjithë korrespondencën në mes të Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi dhe asistentit të ministrit Bajrami, Faton Fetahu.
Më 7 korrik, në orën 12:24, Kelmendi i shkruan Fetahut se konkursi është i gatshëm për publikim dhe i propozon Ministrisë që numri i studentëve në Stomatologji dhe Farmaci të zvogëlohet për të krijuar hapësirë për studentët e Matematikës Financiare. Në orën 13:26 Fetahu i përgjigjet Kelmendit se vendimi i ministrit nuk bën ndryshohet, pra numrat mbeten ashtu si janë.
Ndërkaq, në orën 16:09 Kelmendi i shkruan Fetahut: “Sapo më lajmëroi Rektori që paska biseduar përmes dikujt me Ministrin dhe që propozimet e sotme të rektorit do të merren parasysh.”. Përgjigja e Fetahut nuk vonon më shumë se 6 minuta dhe nga ajo del qartë se Ministri ka dhënë pëlqimin për ndryshimet në konkurs: “Pas kërkesës tuaj, unë bisedova me Ministrin dhe mora pëlqimin e tij për ta shpallur konkursin nesër, d.m.th. është në rregull dhe mund të vazhdoni.”
Konkursi është shpallur një ditë më vonë, më 8 korrik, dhe në të figuron qartë se 30 vende janë për Farmaci dhe 50 për Stomatologji.
Pasi janë plotësuar këto vende kanë filluar kërkesat e kandidatëve të ranguar në vendet 31-40 në Farmaci dhe 51-70 në Stomatologji që edhe ata të pranohen në studime, duke kërkuar kështu rritjen e numrit të studentëve.
Këto kërkesa janë mbështetur edhe nga Inspeksioni i Arsimit, i cili i ka rekomanduar Rektoratit që edhe këta kandidatë të pranohen.
Këtë po e kundërshton rektori Zejnullahu, i cili deklaron se ai bazohet vetëm në konkurs dhe jo në diskutimet që janë zhvilluar në mes të rektoratit dhe MASHT-it. Edhe njohësit e ligjit me të cilët është konsultuar ORAinfo e thonë të njëjtë gjë, duke pohuar se vetëm konkursi është institucion që obligon Universitetin dhe se është normale që, në procedurën e përgatitjes së konkursit, të zhvillohen konsultime, madje edhe të ndryshohen numra.
Rektori Zejnullahu njihet në opinion si kundërshtar i regjistrimeve jashtë konkursit dhe prej ardhjes së tij në krye të Universitetit, kjo praktikë është ndërprerë. Në të kaluarën Universiteti i Prishtinës ka regjistruar studentë edhe jashtë konkursit, madje deri në semestrin e dytë, që ka ngritur dyshime për korrupsion në opinionin publik.