Lajmet e fundit
Ja ku shkuan milionat e shtetit për “kuadro” (Lista e plotë)

Ja ku shkuan milionat e shtetit për “kuadro” (Lista e plotë)

Djali i Sami Lushtakut, kryetar i Skenderajt në burg, Mergim Lushtaku, është vetëm njëri nga 222 zyrtarët e lartë të shtetit që Qeveria e Kosovës i paguan ekstra për punën që bëjnë.

Janë edhe qindra zyrtarë tjerë që gjatë vitit 2014 kanë përfituar mijëra euro nga Fondi për Kuadro e që dyshohet se nuk e kanë të kryer as fakultetin. Madje në mesin e tyre ka edhe zyrtarë që hetohen nga prokuroria për keqpërdorime të ndryshme.

 Gazeta Fjala ka siguruar listën e plotë me emrat që u shpërblyen vitin e kaluar nga ky fond, të cilës i prijnë drejtor e kryeshef  të 18 ministrive e zyrës së Kryeministrit, ndër të cilët emra të njohur të cilët janë të angazhuar në disa aktivitete publike, të paguara mirë.

Aty shihet se si kuadro u pagua edhe Naser Bajraktari Drejtori i Departamentit të Ujërave i cili është suspenduar në muajin maj 2015 për shkak të parregullsive në ministrinë e Mjedisit.

Bajraktari, bazuar në deklarimin e tij të pasurisë nga ministria e ambientit ka marrë pagën prej 5 mijë e 954 euro, mëditje nga Hidro-Regjioni Jugor 4 mijë e 950 dhe nga pozita e profesorit të Universiteti i Prishtinës 1 mijë e 248.

Mediet patën raportuar se Bajraktari nuk kishte deklaruar edhe 10 mijë euro që kishte marrë si ekspert në një projekt të organizatës gjermane në Kosovë, GIZ.

Në Ministria e Kulturës në mesin e dhjetë zyrtarëve  janë edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku, drejtori i Filarmonisë Baki Jashari dhe Valon Kashtanjeva drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit.

Arben Zharku pagën e deklaruar nga Qendra Kinematografike e Kosovës e ka 5 mijë e 388, honorar nga Qendra Multimedia 7 mijë e 200 euro. Por ai deklaroi edhe 3 mijë eurot nga fondi i kuadrove.

Baki Jashari drejtori i Filarmonisë së Kosovës përveç pagesës shtesë nga fondi nga Ministria e Kulturës vitin e kaluar ka marrë 6 mijë e 900 euro, derisa honorar nga UP-ja ka deklaruar 2 mijë e 250 euro.

Ndërkaq, Valon Kashtanjeva drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit ka të deklaruar vetëm pagën prej 5 mijë e 340 euro për vitin e kaluar.

Në listën e 15 zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë e Industrisë, përfitues janë edhe dy kryeshef të agjencioneve.

Valdrin Lluka nëpër mes pozitës si Kryeshef  Ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Investimeve (APIK), në listën e vitit të kaluar është përfitues i pagës shtesë.

Ai pagën bazë nga MTI e kishte deklaruar në vlerën e 17 mijë e 160, mëditje nga kjo ministri 6 mijë dhe dividente nga Dardania Group 5 mijë euro.

E kryeshefi tjetër është Gazmend Mejzini nga Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK). Bazuar në deklarimin e pasurisë paga e tij bazë ishte 1 mijë e 250 euro.

Në listën e 4 fituesve sa ka pasur Ministria e Punëve të Jashtme, gjendet edhe emri i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Uliks Emra

Emra nga  kjo ministri  deklaroi pagën prej 7 mijë e 734 euro, mëditje nga udhëtimet zyrtare 2 mijë e 500 euro. Ai gjithashtu në deklarimin në AKK ka përmendur edhe shtesat në pagë nga fondi në vlerën e 3 mijë e 582 eurove.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka pasur 11 përfitues të fondit. Aty figuron edhe emri i Udhëheqësit  të Njësisë për Politika dhe Monitorimin të Ndërmarrjeve Publike Ramadan Sejdiu

Sejdiu në AKK ka deklaruar pagën prej MZHE prej  9 mijë e 132 dhe pagën tjetër nga SHUKOS 600 euro.

Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Departamentit për Persona të Zhdukur gjithashtu është pjesë e grupit përfitues së fondit.

Gerxhaliu në AAK për vitin e kaluar ka deklaruar  pagën mujore nga Ministria e Drejtësisë në shumën prej 940 eurosh, pagën mujore nga Kolegji FAMA 1 mijë euro dhe pagën nga Fakulteti i mjekësisë 500 euro, si dhe  pagesa sipas shërbimit të Ekspertizës 1 mijë euro.

Nga kjo listë prej 9 zyrtarëve  vetëm Arben Zharku e Uliks Emra i kanë deklaruar në AKK specifikisht përfitimet nga fondi.

 Milionat e fondit të kuadrove ndër vite

Fondi për Kuadro është themeluar në muajin dhjetor të vitit 2008 me qëllim të ofrimit të pagesave më të larta për pozitat me rendësi prioritare dhe strategjike për Qeverinë e  Republikës së Kosovës.

Zakonisht përfituesit e fondit rekomandohen nga paneli vlerësues tek ministritë përkatëse të cilat i japin propozimet e tyre, dhe në fund miratohen nga Komisioni për Kuadro.

Që nga funksionimi i fondit shteti ka paguar 3 milion e 627 mijë 851 euro, përfitues të tij për gjashtë vite kanë qenë 1016 zyrtarë.

Vetëm në vitin 2009 ishin shpenzuar  41 mijë 375,  në vitin 2010 plotë 589 mijë e 280, në vitin 2011 shuma prej 699 mijë e 278.

Në vitin 2012 shpenzimet e fondit arritën në 774 mijë e 424 kurse në 2013 – 786 mijë e 758 euro, derisa vitin e kaluar 736 mijë 736 euro.

Bazuar në dokumentet që posedon Gazeta Fjala, ministria e Financave me 2014 e udhëhequr nga Besim Beqaj i PDK-së, ka pasur numrin më të madh të përfituesve të fondit, me gjithsej 25 përfitues.

Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural e Blerand Stavilecit në atë kohë, me numrin më të vogël të përfituesve me vetëm 3 zyrtarë.

Edhe instituti për studime të avanuara GAP, ditën e martë ka dal me një analizë lidhur  me sic e kanë quajtur ata keqpërdorimet e mëdha që po bëhen me këtë fond.

Jeton Mehmeti nga GAP, deklaroi se fillimisht ideja ka qenë që ky fond të merret me kuadro deficitare, por sipas tij ai u shndërrua në fond për pozita menaxheriale.

“Ne kemi gjetur emra që janë persona të partive politike dhe janë konsideruar si kuadro deficitare”, tha Mehmeti.

Ai thotë se nga kuadrot kërkohet të ketë një master dhe ta dijë të paktën një gjuhë të huaj, megjithatë sipas tij nuk ka një kriter të qartë se kush po përfiton kush po mbetet jashtë.

Sipas analizës së GAP nga 222 zyrtarë përfitues të Fondit në vitin 2014, gjashtë janë me titull doktor shkence, 94 me titull master dhe 122 të tjerë nuk dihet nëse kanë të paktën diplomë universitare.

Ndërkaq, është gjetur se shumica e përfituesve nuk kanë shkollim të avancuar universitar. Nga 222 zyrtarë përfitues të Fondit në vitin 2014, gjashtë janë me titull doktor shkence, 94 me titull master dhe 122 të tjerë nuk dihet nëse kanë të paktën diplomë universitare.

Fondi për Kuadro ishte pezulluar përkohësisht në vitin 2015. Megjithatë me12 gusht Qeveria e Kosovës mori një vendim për rikthimin e tij por që ai të shkurtohet në 500 mijë euro.

Derisa përfituesit e tij, do merrnin nga 100 deri në 500 euro në muaj, raportoi Gazeta Fjala, javën e kaluar. /Gazeta Fjala/.

1

2

4

5

6

7

8

9

10

11

12

13

14

15

16

17

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.