Sikur t’i mos mjaftonte kriza financiare në të cilën ndodhet Trepça, kësaj ndërmarrje kanë filluar t’i ‘avullohen’ edhe automjetet zyrtare
Një rast i tillë ka ndodhur të hënën e kaluar, pasi që Bislim Fetahajt, drejtor i Minierave Kishnicë dhe Artanë, i është vjedhur automjeti zyrtar pranë banesës së tij në Prishtinë.
Kjo vjedhje nuk është bërë publike, përderisa këtë e ka zbuluar Veriu.info.
Vjedhjen e automjetit “Toyota” e ka konfirmuar vet Bislim Fetahaj, i cili ka thënë se automjetin e ka parkuar në mbrëmje rreth 20 metra në afërsi të banesës, por që në mëngjes nuk e ka gjetur aty.
“Rasti është raportuar në polici, të cilët më ka thënë të mos jap detaje për këtë vjedhje. Automjeti është “Toyota” e bardhë, të cilën qe dy vite e la në të njëjtin vend. Vjedhja ka ndodhur të hënën e kaluar, ku unë e kam lënë në mbrëmje automjetin 20 metra afër banesës, por në mëngjes e kam kuptuar se ajo është vjedhur”, ka thënë drejtori Fetahaj për Veriu.info.
Ndryshe, ndërmarrja Trepça, pjesë e të cilës janë edhe minierat në Kishnicë e Artanë, muajve të fundit është përballur me krizë financiare dhe mos arritje të shitjes së koncentratit të plumbit dhe zinkut për disa muaj.