Postimi i plotë i Jusuf Thaçit
Nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mëton të vazhdojë të jetë parimore, atëherë Grupi Parlamentar i LVV-së menjëherë duhet ta largojë z. Ilir Deda nga Grupi Parlamentar i LVV-së.
Z. Deda ka të drejtë të ketë opinionin e gjykimin e vet për gjithçka, por jo t’ju mbajë ligjërata morale atyre që për dhjetë vite e kanë ngritur LVV-në nga hiqi deri në këtë stad.
Z. Deda po dëshmon që nuk ka mendim “ndryshe” nga LVV, por ka probleme konceptuale me LVV-në dhe për më tepër më shumë e ka prioritet egon e vet se sa interesin publik, aq më pak interesin e LVV-së si subjekt politik.
Diskursi i z. Deda karshi LVV-së e tejkalon (negativisht) edhe diskursin e kundërshtarëve politikë e ideologjikë të LVV-së, prandaj nëse kjo do të quhej demokraci e brendshme, atëherë kjo e ka një emër: demagogji!
Në ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, duke pasur parasysh heterogjenitetin e anëtarësisë dhe simpatizantëve të vet, duhet që zyrtarisht të krijojë tre “krahë”: 1) krahun idealist, 2) krahun pragmatik dhe 3) krahun radikal, por assesi të lejojë tekanjozitete megalomane të individëve të flasin në emër të LVV-së.