Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka deklaruar se opozita nuk ka asnjë rrugë përpos që ta pamundësojë futjen në zbatim të marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin. Nëse këto marrëveshje hyjnë në zbatim tani, atëherë Kosova nuk më nuk do të ketë fuqi as t’i korrigjojë e as t’i shfuqizojë ato.
“Ne, si opozitë, nuk do të mund të pajtohemi asnjëherë, që kushdoqoftë ta godas kaq rëndë shtetin dhe territorin e Kosovës. Isa Mustafa ka gabuar, prandaj ai duhet ta korrigjojë gabimin e tij, sepse kjo është në interes të shtetit ku ai është kryeministër. Prandaj ftoj atë dhe partnerët ndërkombëtarë që ta kuptojnë shqetësimin tonë dhe t’i rishikojnë këto marrëveshje”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt AAK nuk është kundër që serbët, atje ku janë shumicë, ta kenë asociacionin e tyre, por ky asociacion duhet të jetë në përputhje me Planin Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Kosovës.
Sa i përket demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, Haradianj ka deklaruar se janë përcaktuar që kufiri të jetë atje ku ka qenë gjithnjë.
“Nuk e duam tokën e askujt dhe nuk jemi të gatshëm ta falim tokën tonë. Vetëm një zgjidhje e tillë është garancë e një fqinjës ie të mirë me Malin e Zi. Këto çështje janë jetike për Kosovën dhe unë i ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, në Kosovë dhe jashtë saj, që të vihen në anën e së drejtës, e jo të mbështesin zgjidhje të improvizuara me pasoja të pariparueshme”, ka thënë lideri i AAK-së.