Analisti dhe gazetari kosovar, Arben Ahmeti, ka thënë se kjo që po ndodh me bllokimin e Kuvendit nga ana e opozitës është diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë. Ai në një deklaratë të dhënë për Gazetën Blic, ka thënë se opozita duhet urgjentisht të tregoj platformën e saj politike, dhe jo të na mbaj peng.
“Kjo është mënyrë e paparë deri më tash e bllokimit të Kuvendit të Kosovës. Duhet të shpresojmë që opozita e ka kalkuluar mirë dhe janë të qartë në atë që do të dalë si rezultat i këtij zhvillimi. Duhet parë rrezikun që të na përsëritet VLAN-i, ku pas gjashtë muajsh bllokadë, nuk u ndryshua asgjë dhe u kthyem në pikën zero”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, partitë “opozitës i duhet shpejt që të na tregojë platformën politike, dhe jo të na mbajë peng, sikur në kohën e VLAN-it, kur krejt çka dinim ishte një marrëveshje në katër pika, ku vendosej për pozita”.
Ahmeti thotë për Gazetën Blic se vendi tash e sa kohë është në krizë institucionale. Mirëpo, sipas tij, tash kemi bllokim të punës së Kuvendit.
“Vendi është moti në krizë institucionale. Në fakt, prej kur janë krijuar institucionet e Kosovës ne kemi krizë, sepse përjashtuar një ose dy prej tyre, asnjëra nuk ka funksionuar si duhet. Ajo çka kemi tash, është edhe bllokim i punës së Kuvendit të Kosovës”, tha ai për Gazetën Blic.
Opozita sot e ka bllokuar Kuvendin, duke mos lejuar mbajtjen e seancës. Pas kësaj sjellje të opozitës, kryetari i Kuvendit ka marrë vendim që ta ndërpres seancën.