Lajmet e fundit
Seanca edhe sot ndërpritet, e nesërmja anulohet

Seanca edhe sot ndërpritet, e nesërmja anulohet

Edhe seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është bllokuar nga subjektet opozitare. Madje, ata thanë se do të vazhdojnë bllokimin e seancave derisa Isa Mustafa të tërheq nënshkrimin për “Zajednicën”. Kurse, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se nuk do të vazhdohet në pafundësi me bllokimin e seancave.

Deputetët e pozitës dhe opozitës u nënshkruan për seancën e sotme, duke marr mëditjen si deputet, megjithatë ata nuk shqyrtuan asnjë pikë të rendit të ditës për shkak se opozita edhe sot, për të tretën seancë me radhë, bllokoi foltoren e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tentoi të flas me deputetët e opozitës, ku më pas tha se opozita është e vendosur për këtë bllokim të Kuvendit.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca para mikrofonit të kryeparlamentarit Veseli, ka dhënë qëndrimet e opozitës rreth zhvillimit të mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se janë për një debat të hapur por asesi që një pakicë të bllokojë shumicën.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi theksoi se opozita nuk duhet të flas nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Pas kësaj, Veseli dha një pauzë prej 30 minutave dhe ftoi kryetarët e grupeve parlamentare në një takim të cilin nuk iu përgjigje opozita. Ata paralajmëruan se edhe pas kësaj pauze do të bookojnë punën e Kuvendit, pasi që askush nuk ka legjitimitet të shes 30 përqind të Kosovës.

Kjo edhe ndodhi, pasi që edhe në pjesën e dytë, deputetët e opozitës ishin në foltore të Kuvendit. Kurse, kryeparlamentari tha se në këto rrethana është e pa mundur të vazhdohet seanca.

Sikurse Veseli edhe opozita iu drejtuan mediave pas ndërprerjes së seancës./KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.