Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ka publikuar faqen e vet në internet www.keds-energy.com, e cila ka për qëllim t’u ofrojë qasje konsumatorëve duke u ofruar informata dhe shërbime të rëndësishme. Faqja është publikuar të Enjten, më 10 Tetor 2013.
Zyrtarët e KEDS-it, thanë se kjo kopani ka përgatitur një faqe interaktive dhe shumë të lehtë për qasje, në të cilën qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje jo vetëm të marrin informata për furnizimin me energji elektrike, por edhe të njoftohen për shërbime të rëndësishme për ta.
Po ashtu, është për t’u vlerësuar fakti se përmes uebfaqes edhe informimi i mediave të shkruara dhe elektronike do të jetë më i shpejtë dhe më efikas. Nëpërmjet uebfaqes mediat do të marrin informata lidhur me ndërprerjet e planifikuara të rrjetit, intervenimet emergjente, furnizimin me energji elektrike, si dhe lajme dhe ngjarje nga kompania, por do të informohen gjithashtu edhe për projektet dhe aktivitetet që zhvillohen në vazhdimësi.
Drejtori i përgjithshëm i KEDS-it Vedi Yesilkiq, tha se qëllimi kësaj kompanie është rritja e dhe përmirësimi i shërbimeve për konsumatorët. Sipas tij, uebfaqja e cila është lansuar do të ketë informata të detajuara për konsumatorët.
Po ashtu zyrtarët e KEDS-it thanë se konsumatorët do të jenë në gjendje që përmes uebfaqes të informohen për gjendjen e faturës së tyre. Njëherësh, për herë të parë konsumatorëve do t’u ofrohen shërbime online. Ata përmes fushës IDEJA JUAJ do të munden të bëjnë kërkesa, sugjerime apo ankesa online.
“Në mënyrë që të mos mblidhen sugjerimet nga konsumatorët vetëm fizikisht, kutia e sugjerimeve online – fusha në Menynë “Idea Juaj” do të përfshihet në faqen elektronike të KEDS-it, ashtu që konsumatorët, punëtorët dhe pjesa tjetër e audiencës mund të arrijnë KEDS-in në çdo kohë, kudo. Kutia e sugjerimeve online ju jep mundësinë konsumatorëve dhe punëtorëve që të përmirësojnë ndërmarrjen përmes kontributit të tyre digjital. Kutia e sugjerimeve online është e qasshme tërë ditën, çdo ditë dhe do të jetë e lehtë për ta përdorur. Të dhënat e pranuara nga “Idea Juaj” do të transferohen në Departamentin për Shërbim ndaj Konsumatorëve për procesin e trajtimit të rregullt dhe te mëtutjeshëm”, deklarojë Ilir Dula, Drejtor në Departamentin për Shërbim ndaj Konsumatorëve në KEDS.
Nëpërmjet faqes së internetit, konsumatorët do të mund t’i adresojnë kërkesat që mund t’i kenë, si kërkesat për lidhje të reja, për ndërrim pronari, për rikyçje e të ngjashme. Pra, një familje që e ka pasur të pasivizuar njehsorin e energjisë elektrike për shkak se jeton jashtë Kosovës, nga cilido qytet në botë mund të bëjë kërkesën për rikyçje dhe kjo kërkesë do të trajtohet njësoj sikur kërkesat e parashtruara në sportelet e KEDS.
Konsumatorët do të mund të parashtrojnë edhe ankesat nëpërmjet faqes në internet. Këto do të trajtohen dhe do të procesohen nga zyrtarët e KEDS njëjtë sikurse të parashtroheshin në sportelet e KEDS.
Naxhije Arifaj, përgjegjëse për publikime dhe uebfaqe në Zyrën për Komunikime në KEDS, u shpreh e kënaqur që KEDS ka arritur kaq shpejt të hapet për konsumatorët, duke u ofruar një faqe interneti me numrin më të madh të shërbimeve që ofron ndonjë kompani në rajon.
“Në kuadër të këtij angazhimi, KEDS do të ndërtojë një marrëdhënie sa më të afërt, sa më profesionale dhe sa më transparente me shfrytëzuesit e shërbimeve të kompanisë. Me këtë synohet që qytetari të jetë sa më mirë i informuar për të arriturat e kompanisë, për sfidat me të cilët përballet kompania, si dhe me zgjidhjet që i ndërmerr kompania. Duke informuar drejt, shpejt dhe në mënyrë sa më të elaboruar, KEDS dëshiron që konsumatorin ta bëjë partner dhe rruga e zhvillimit të KEDS të bëhet edhe rrugë e zhvillimit të qytetarit të Kosovës”, tha Arifaj