Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, prezantoi të enjten, gjatë një aktiviteti parazgjedhor në lagjen “Kalabria”, projektet e infrastrukturës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, duke theksuar se vlera e këtyre projekteve, pa llogaritur shpronësimet, kap shifrën e 70 milionë eurove.
Mustafa tha se prioritet gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës në Prishtinë do të jenë investimet në projektet afatgjate, pasi Komuna e Prishtinës tashmë ka kaluar në fazën zhvillimore.
“Gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës do të realizohen projektet për të hapur hyrjet në Prishtinë, në të katër anët, me nga katër korsi”, tha Mustafa, duke shtuar se, në dy vitet e para të qeverisjes, do të ndërtohet një pjesë e Unazës së brendshme, nga udhëkryqi i rrugës për në Gjilan në drejtim të Fushë-Kosovës dhe në drejtim të Gërmisë, e më pas do të ndërtohet pjesa e Unazës nga Fushë-Kosova në drejtim të rrugës së Mitrovicës.
“Në këtë mënyrë, ne synojmë ta lirojmë kryeqytetin nga komunikacioni transit, duke mundësuar qarkullim më të mirë brenda qytetit”, tha Mustafa.
Në të njëjtën kohë, vijoi ai, do të punohet për realizimin e projekteve të tjera brenda qytetit të Prishtinës.
“Gjatë vitit të ardhshëm do të realizojmë projektin për rregullimin e platosë mbi “Kurriz”, si dhe do të punojmë për realizimin e projektit të Bulevardit të vjetër të Prishtinës, si dhe projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë përfundimin e rrethrrotullimit në “Veternik”, vazhdimin e ndërtimit të rrugës B, ndërtimin e rrugës “Enver Maloku”, rrugës te “Fusha e Pajtimit” etj.
Ai tha se Komuna e Prishtinës, gjatë katër viteve të kaluara, ka arritur të realizojë mesatarisht nga 90 projekte infrastrukturore, me një shumë totale investimesh në vlerë prej 70 milionë eurosh.
“Kemi realizuar projekte të rëndësishme në kryeqytet dhe në fshatrat e Komunës së Prishtinës, përfshirë 350 kilometra rrugë, 60 kilometra kanalizim dhe 24 kilometra ujësjellës, edhe pse ka qenë përgjegjësi e Ujësjellësit rajonal “Prishtina”, projektin e Kolektorit, sheshet e kryeqytetit dhe projekte e tjera të shumta”, tha Mustafa.