SHBA, 15 të vdekur dhe 20 të plagosur në kolegj
Të paktën 15 të vdekur dhe 20 të plagosur janë shënuar nga disa të shtëna me armë gjatë së enjtes në një kolegj komunitar në Roseburg të Oregonit, raportojnë së fundi mediat amerikane.
Sipas CNN, agresori është arrestuar menjëherë. Një zëdhënës i departamentit të policisë së Qarkut Douglas konfirmoi për “Reuters” të shtënat e dëgjuara në kampusin universitar të Umpquas në Roseburg, megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Douglas njoftoi mbi situatën në vendngjarje, nga ku raportohej edhe për disa të vdekur dhe të plagosurit që ishin transportuar për në spital.
Roseburg është qytet i mbi 20 mijë banorëve, rreth 418 km në jug të Portlandit. Sipas gazetës “Portland Oregonian”, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40 me orën lokale.