Lajmet e fundit
Ministri pa portofol, i panevojshëm

Ministri pa portofol, i panevojshëm

Përfaqësuesit e opozitës dhe analistë politikë e kanë vlerësuar të panevojshëm emërimin e ministrit pa portofol, Milan Zdravkovic, në Qeverinë e Kosovës. Ata kanë thënë se shteti i Kosovës është shumë i vogël për të pasur kaq shumë poste qeveritare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar të mërkurën Milan Zdravkoviqin ministër pa portofol.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë me dije se ministri pa portofol do të jetë anëtar i kabinetit qeveritar, do të veprojë nën autoritetin e drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe do të jetë përgjegjës për rini, inovacion dhe mundësi të barabarta.

Emërimi i Zdravkovicit ministër pa portofol në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk është mirëpritur nga opozita. Përfaqësuesit e partive opozitare e kanë vlerësuar të panevojshëm krijimin e një dikasteri të tillë.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, ka thënë për “Epokën e re” se emërimi i një ministri të tillë nuk është bërë për interesa të qytetarëve të Kosovës, por për qëllime politike të kryeministrit Hashim Thaçi.

“Ky dikaster po bëhet për interesa politike të kryeministrit Hashim Thaçi. Nuk ka të bëjë me interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Kjo ministri është e panevojshme sepse Qeveria e Kosovës është shumë e madhe dhe me dikastere të tjerë të panevojshëm brenda saj. Ka dikastere të cilat krijojnë vetëm shpenzime shtesë dhe i shërbejnë kryeministrit Thaçi për qëllimet e tij politike që nuk kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm të qytetarëve të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se me emërime të tilla është duke u dëmtuar shteti i Kosovës.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje! e ka kundërshtuar emërimin e ministrit pa portofol. Zyrtari i kësaj lëvizjeje, Erzen Vraniqi, ka thënë për “Epokën e re” se postet e tilla janë të panevojshme dhe si të tilla janë të kushtueshme për buxhetin e shtetit të Kosovës.

“Emërimi i ministrit të ri pa portofol është blerje e lojalitetit të një grupi të caktuar politik nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi. Me këtë po dëshmohet se Qeveria e tij shërben vetëm sa për t’i akomoduar aleatët e tij politikë. Duke filluar t’i zbehet pushteti, Thaçit po i duhen sa më shumë partnerë në koalicion dhe këtë partneritet po e blen me dhurimin e posteve ministrore të panevojshme, por të kushtueshme për buxhetin e shtetit”, ka thënë Vraniqi.

Ndërkaq analisti politik Behxhet Shala ka vlerësuar se emërimi i ministrit pa portofol është bërë për ta ruajtur balancën e partnerëve të koalicionit deri në zgjedhjet e ardhshme.

“Është ditur edhe më herët se kjo ministri do të formohet për shkak se është dashur të ruhet një balancë i partnerëve në koalicion, pasi edhe një plasaritje më e vogël ka mundur të shkaktojë probleme. Prandaj, kryeministri Thaçi ka qenë i detyruar të japë edhe një ministri për pakicën serbe. Kjo ka të bëjë me ruajtjen e stabilitetit politik deri në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është e vetmja mënyrë për t’i rehatuar të gjithë”, ka thënë Shala

Leave a Reply

Your email address will not be published.