Historianët kanë lënë jashtë vëmendjes studimet e Nolit e Athanas Gegës për origjinën e Heroit Kombëtar. Ja lajthitjet e Marin Barletit për origjinën e Skënderbeut…
Preng Cub Lleshi
Historianët, që synojnë të zbulojnë të vërtetat e mëdha për ngjarje të rëndësishme e personalitete të mëdhenj, sikur u ngjajnë bletëve punëtore, të cilat e mbledhin nektarin në lule të ndryshme. Ata, duke gërmuar nëpër dokumente e libra të ndryshme, analizojnë e krahasojnë të dhënat që kanë mbledhur, për t’i dhënë opinionit publik të vërtetat e mëdha dhe jo grimca të dhënash, që nuk na japin të tërën që kërkon logjika historike. Por, kjo nuk ka ndodhur kur është folur, veçanërisht, për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, sepse disa fakte tepër të rëndësishme për historianin janë lënë në harresë, kurse të tjera janë interpretuar në mënyrë të dyshimtë.
Kështu, kur është folur për vendorigjinën e Kastriotëve, janë lënë jashtë vëmendjes, përveç atyre që u përmenden, shumë të dhëna që sjell Fan Noli në variantin e vitit 1921 të “Historisë së Skënderbeut”, siç janë lënë pa kujtuar edhe shumë parashtrime për vendorigjinën e Kastriotëve të Athanas Gegës, të poetëve Gavril Dara i Riu dhe Risto Siliqi e të rilindasit Zef Jubani. Se nuk mund të kalohet lehtë pohimi i Fan Nolit, sipas të cilit “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”.
Ky pohim do kuptuar thellë, sepse pasqyron një të vërtetë të madhe: Të vërtetën që Mirdita, si djepi i Dukagjinëve legjendarë, rrënjët e të cilëve duken, të paktën, që në shekullin e VII-të të kohës së re, shtrihej si “Dukagjini i vërtetë”, edhe në Has e më tej. Për këtë dëshmon fakti që “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre – Dukagjin”.
Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet edhe gjykimi nolian se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. Këto “lajthitje”, siç e ka konstatuar me kohë Dhimitër Shuteriqi, kanë bërë që jo vetëm Barleti, por dhe historianë të tjerë, t`i atribuojnë Matit ngjarje e personalitete që lidhën me Mirditën. Për këtë mjafton të sjellim vetëm citimin e Atë Giuseppe (Zef) Valentini, i cili shkruante: “Sipas Barletit, projë (mbrojtës ose prijës – shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të nji abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit”, ndërkohë që kisha e Shën Lleshit gjendet në Orosh të Mirditës, ashtu si edhe fshati Përlat, i cili nuk shtrihet në rajonin Matit!
Për rrjedhojë, studiuesit seriozë të historisë së Heroit tonë kombëtar i mbetet t`u japë të drejtë historianëve tanë të shquar: Aleks Buda, Selman Riza, Kasem Biçoku, Selami Pulaha e Dhimitër Shuteriqi, të cilët emrin e Gjon Kastriotit e lidhin më shumë me Mirditën dhe jo me Matin e Kastriotin e Dibrës! Dhe, kjo ide përforcohet kur Fan Noli, duke folur për vendorigjinën e Kastriotëve, thotë: “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. Dhe, a nuk është ky gjykim, në një fare mënyre, një mohim i tezës që i nxjerr Kastriotët me origjinë nga një fshat me të njëjtin emër që shtrihet në rrethin e Dibrës?!
Fan Noli, në variantin e parë të “Historisë së Skënderbeut” të vitit 1921, si pa dashur, sikur kundërshton edhe tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga një Kastrat i Hasit. Këtë historiani ynë e bën kur shkruan se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien” – shënimi im) e quajnë përallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”. Dhe a nuk duhet ta mbajnë parasysh këtë gjykim ata historianë që merren me vendorigjinën e Kastriotëve?! Se fshat me emrin “Kastër” ose “Kastri” në trojet shqiptare ka vetëm në Mirditë!
Tezën që i bën Kastriotët nga një fshat me emrin Kastrat në rrethinat e Hasit, Fan Noli përsëri si pa dashur, e kundërshton kur pohon, si edhe historianë të tjerë, se është vështirë të dalë nga një “Kastrat”, qoftë ky i Hasit, apo i Shkodrës, mbiemri “Kastriot”. Këtë e bën kur shkruan se “Etimologjikisht është shumë e rëndë që të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”. Dhe, duket se historiani, duke iu referuar logjikës gjuhësore e historike, i bën të mendohen thellë pasardhësit, kur u kujton se “fshatra me emrin Kastri ka sot në Shqipëri, një në Çamëri dhe një në Mirditë, (Kastri-Shënimi im) afër Drinit”.
Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore rreth vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve, Fan Noli thotë se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër, mund t’i përmbledhim e t’i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarekut (Mazrekut – shënimi im) a në Kastrat, sidomos në Malësitë afër Drinit”. Dhe, pasi fshat me emrin Kastri – a nuk ka as në Has, as në Kastriot të Dibrës, as në Mat, por vetëm në Vig të Mirditës, i duhet besuar tezës që i nxjerr Kastriotët nga treva e Mirditës etnografike.
Dhe, ai që e thotë me zë të lartë këtë të vërtetë është prifti historian Athans Gega, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit. Ky historian, në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, hedh dritë mbi vendorigjinën e Kastriotëve duke dëshmuar, së pari, se “Kastriotët zotëronin… territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”, pohim i bërë edhe nga disa historian të tjerë.
Dhe, së dyti, për ta bërë më të qartë mendimin e tij, historiani vazhdon: “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”. Dhe, shkon më tej autori, duke i vënë në mendime pasardhësit, kur thekson se “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufinjtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve” (të Kastriotëve dhe të Dukagjinëve – shënimi im).
Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve përcjellin edhe gojëdhënat e ndryshme që qarkullojnë në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë etnologu Mark Tirta, sjell një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Pëshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skënderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët e Mirditës së fisit)”.
Dhe, kjo ndodhte, siç thoshte gojëdhëna, sepse “Kufijtë midis Dukagjinit e zotërimeve të Skënderbeut nuk ishin të caktuara”. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por, nuk duhet harruar që Fani (njëri nga bajrakët e Mirditës etnografike – shënimi im) u takonte Dukagjinasve”.
Kështu, gjersa “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”, siç shkruan Skënder Riza; gjersa, siç pohom historiani Aleks Buda “tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit… përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën”; gjersa, siç kumton A. Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinjë me Shkodrën dhe Lezhën”; gjersa, siç thotë Fan Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti”, atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, diku në pronat e babait të tij do ketë lindur më 1405, të cilat duket se i përkasin qartë Mirditës etnografike.
Dhe, duket se kurorën e këtij mendimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, e cila në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane”, na thotë: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve (duhej thënë katër – shënimi im) të Gjon Kastriotit, kreu i familjes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.
Ky pohim përbën një monument, i cili nuk mund të rrëzohet lehtë, sepse studiuesi i epokës skënderbejane e di që krahinat e ndryshme të Shqipërisë e, veçanërisht ato të malësive, princat i kishin vendas. Ato nuk mund t`i “importonin”, siç mund të ndodhë në kohët modern! Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë! Kjo bëhet më bindëse kur mbajmë parasysh faktin që Gjon Kastrioti ishte kreu i kësaj familje legjendare dhe jo një “Kastriotas” çfarëdo. Këto troje Gjon Kastrioti, qysh në 1407, i quante toka të fisit të vet prej shekujsh, siç dëshmon, indirekt, akademiku Dh. Shuteriqi.
Ndoshta, këto të vërteta i dinte A. Gega, kur në temën e doktoratës, në universitetin e Luvrit, deklaronte: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin – shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës – shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. Të njëjtën tezë duket se mbron edhe Atë Giuseppe Valentini, kur Dibrin, trevën nga Vigu në Kaçinar të Mirditës e quan “tokë të Kastriotëve”. Këto pohime tregojnë se edhe emërtimi “Gjon Dibrani” nuk ka të bëjë me Dibrën buzë Drnit, po me Dibrin që njihet si bajraku i katërt Mirditës.
Dhe, teza e Athanas Gegës, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut, si edhe pohimi i Giuseppe Valentinit, duket se i mohojnë prerë tezat mbi origjinën e Kastriotëve nga Hasi i Kukësit, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati, të cilat janë përmendur si vendorigjina të mundshme të këtij fisi të lavdishëm ne historinë e Shqipërisë.
Tezës së A. Gegës, i cili e konsideron Kastrin në Vig të Mirditës si vatrën qendrore të Kastriotëve, duket se i vijnë në ndihmë edhe dy fakte: Së pari, një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti, ka vënë kurorë pikërisht në Kastër, afër Vigut; së dyti, fakti që Gjergj Kastrioti u varros në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë dhe jo në Has të Kukësit, në Kastriot të Dibrës, apo në Mat, siç ka qenë dhe është në zakonet dhe besimet e katolikëve.
Për historianin e vëmendshëm, ky fakt nuk duket kaluar pa një analizë të hollë të fenomenit, kur dimë se një udhëheqës i përmasave të mëdha, si Gjergj Kastrioti, mund të linte si amanet ta varrosnin edhe në kështjellën e Krujës, por ja që duhet menduar se ai zgjodhi Lezhën, afër Kastrit në Vig të Mirditës si banesën e përjetshme të tij!
Me idenë e dokumentit që duket se zotëron historiani M. Prenushi, sipas të cilit Gjergj Kastrioti ka vënë kurorë në Katër, afër Vigut, sikur bashkohet edhe historian gjerman Markus W. E. Peters. Ky, në veprën “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), shkruan: “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri… ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë – shënimi im) Heroi kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Edhe historiani francez, Alen Dysylje, në një kumtesë mbajtur në Konferencën e Dytë Kombëtare të Studimeve Albanologjike, duket se e dëshmon qartë se vendorigjina e Kastriotëve është Mirdita, kur shkruan: “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. Kjo duhet besuar kur mbahet parasysh mendimi i rilindasit Preng Doçi, i cili e quan Lezhën si “cepi i Mirditës”.
Dhe, për të shkuar më tej në gjurmim të vendorigjinës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet edhe një pohim i historianit të madh francez Zhan Klod Faveirial, i fiksuar në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i “Plejard” i vitit 2004. Ky historian, duke rrëfyer për Heroin tone kombëtar dhe duke hequr paralele midis tij e mbretit të epirotëve – Pirros, i cili e kishte pohuar origjinën e tij epirotase, shkruan: “Dikur, epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre. ‘Po, unë jam shqiponjë’, u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë! Kjo (do të) ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve në veçanti…”.
Pra, ashtu si Pirroja u tha epirotasve se “prej jush jam i tillë”, për të treguar me krenari për vendorigjinën e tij, po ashtu, siç pohon historiani francez, edhe Skënderbeu do t`u thoshte “mirditorëve, në veçanti”: “Po, unë jam shqiponjë, por prej jush jam i tillë”!
Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Kastrin si vatrën qendrore të fisit të Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, sikur gjendet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë flet fakti që mbiemri “Kastrioti” në të folmen e Mirditës shqiptohej gjer vonë në formën “Kastërjoti”, gjë që na zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet, shpesh, edhe në ditët tona nga mirditorët. Forma “Kastërjoti” duket se ka qenë zotëruese në gjithë Shqipërinë e veriut, por mbi të, ndoshta, kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Sidoqoftë, me sa duket, i duhet besuar tezës, sipas të cilës mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e një Kastri, plus prapashtesën-iot, siç ka qenë që herët një traditë e shqipes. Dhe ky Kastër gjëndet vetëm atje ku janë gërmadhat e një kështjelle të vjetër pranë Vigut të Mirditës etnografike! /Shqiptarja/