Fronti i përbashkët opozitar vazhdon të jetë i “fortifikuar”, duke mos u lëkundur nga pozicionet se do të vazhdojë me bllokimin e punës së Kuvendit, pavarësisht se Kryesia ka vendosur që seanca të mbahet këtë të enjte.
Tabori opozitar është i bindur se zgjidhja është në duart e kryeministrit, Isa Mustafa, i cili, sipas tyre, duhet t’i anulojë marrëveshjet e arritura në Bruksel lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
Përfaqësuesit e tri partive politike opozitare të hënën kanë bojkotuar punimet e Kryesisë së Kuvendit sikurse që kanë paralajmëruar bllokimin e seancës këtë të enjte.
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, në një konferencë me gazetarë ka thënë se politikanët, që aktualisht po vajtojnë për bllokim të Kuvendit, janë përgjegjësit për nivelin e korrupsionit dhe papunësisë në vend.