Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ecjen simbolike në qendër të Prishtinës, të organizuar me rastin e Ditës së luftës kundër kancerit të gjirit.“Përmes ecjes tonë simbolike, ne dëshmojmë kujdesin edhe solidaritetin si individë, si shoqëri dhe institucione, për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit. Vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë betejë! Ju lus të gjithave, nëna, gra, motra dhe vajza, t’i nënshtrohemi kontrolleve të rregullta mjekësore, pasi diagnostikimi i hershëm do të thotë fitore mbi këtë sëmundje”, porositi presidentja e vendit.
Ajo tha se e çmon dhe e vlerëson nismën e grupit të grave deputete për mbledhjen e fondeve për mamografinë mobile, e cila do të ishte në shërbim të të gjitha grave, në çdo cep të shtetit. “Qëllimi ynë i përbashkët është që çdo grua të ketë qasje në shërbimet mjekësore, sepse vetëm kështu identifikohet dhe parandalohet kanceri i gjirit”, tha Jahjaga.