Ministri për Kthim dhe Komunitetet, Dalibor Jevtiq, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për themelimin e një paneli gjyqësor që do të merrej me pronat e uzurpuara.
Përveç që kërkesën e potencoi në mbledhje të Qeverisë, ministri ka shfrytëzuar edhe takimin e komisionit ndërministror për Kthim që të adresojë këtë çështje. Pas takimit që u mbajtën pa praninë e medieve, Jevtiq ka thënë se për kërkesën e tij janë përafruar qëndrimet.
“Kjo nuk është një çështje vetëm e serbëve, por e gjithë qytetarëve të Kosovës njësoj, dhe ne duhet ta zgjidhim në mënyrën sa më efikase të mundshme. Për këtë çështje ekziston edhe mundësia ligjore dhe do të presim përgjigje zyrtare nga Ministria e Drejtësisë dhe nga ministritë e tjera”, ka thënë Jevtiq.
Kurse, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se çështja e pronave duhet të zgjidhet në gjykatat ekzistuese, përderisa me zgjedhjen e kësaj çështje është duke u marrë Agjencioni Kosovar për Pronë që deri tani ka zgjidhur 80 mijë ankesa kurse deri në prill të viti 2016 pritet të zgjidhen edhe 456 raste sa janë paraqitur në këtë agjencion.