Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka porositur votuesit në Drenicë që të mos t’ua japin votën 100 për qind “të vetëve”, por t’i ndajnë votat edhe për subjektet tjera.
“Pra është në interesin tuaj me e rritë demokracinë, me i rritë partitë tjera, e keni në interes me i votu edhe këta njerëz, Qazim Xanin e kandidatët tjerë, se qeverisja më e mirë është kur fituesi ka 51 për qind e humbësi 49 për qind të votave. Kur njeri fiton 90 për qind, e ka fitoren në xhep, nuk mundesh me majtë në kontroll si po qeverisë”, tha Haradinaj në Skenderaj.
Ai vlerësoi se nuk është as turp e as tradhti me i thënë atij që ia ke dhënë besimin, se nuk ka punuar mirë, kjo, sipas Haradinajt, veç tregon se respekton vlerën e UÇK-së, Adem Jasharin dhe sakrificën e kombit.
“Ai që ulë kryet e nuk i thotë të keqes, e keqe, është marre në këtë shekull dhe në këtë kohë, mos me mujt me i thanë dikujt se nuk e ke në rregull. Po dëgjohen do farë fjalët, tradhtarë, e të ngjashme, por t’u them se ka qenë lufta dihet kush ka qenë kush, e ata që nuk e mbajnë mend, munden me vetë. Krahas atij burrit (Adem Jasharit), që sot të gjithë e nderojmë edhe ne disa tjerë kemi vepruar afër tij. Pse po i them këto fjalë, për me iu tregu edhe një fjalë tjetër. Më vjen keq që Samia (Lushtaku) është në burg, me vjen keq edhe për Sylën (Sylejman Selimin) e për shokët tjerë që janë në burg për vepra të luftës dhe pres që të lëshohen të pafajshëm dhe ta gëzojnë lirinë e jetën”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se është e rëndësishme që të votohet AAK-ja në Skenderaj.
“Me e marrë besimin e Skenderajt e të Drenicës është punë e mirë, qysh kemi bë më herët për me pru lirinë e me ba demokracinë. Unë kam ardhë t’iu them se i kenë lazdruar këta të tuajt, sepse ua keni dhënë besimin mbi 100 për qind, e mandej ata janë ndier të fortë, se askush nuk mund me i rreziku, nuk ka pasur as opozitë e as konkurrencë, e nëse e keni gjendjen mirë, lazdroni prapë, por ata kanë me qenë përsëri të lazdrum dhe kanë me e marrë ata si me ua pas lënë baba”, tha lideri i AAK-së, i cili porositi që t’i lënë ata në “pisk”, sepse ata punojnë më mirë.
Haradinaj i siguroi drenicasit se as liderët e tyre nuk i duan më shumë se ai. “Keni me e pa vet, se as ata të tuajt nuk ju duan më shumë se unë”, siguroi Haradinaj.