Analisti Kim Mehmeti në profilin e tij në Facebook thekson se partitë opozitare shqiptare pa u bashkuar e kanë të vështirë që të garojnë në skenën politike në Republikën e Maqedonisë.
Mehmeti, nuk sqaron se për cilat parti opozitare e ka fjalën, duke e pasur parasysh se RDK është futur në një koalicion me Lëvizjen për reforma në PDSH, Lëvizja Besa gjendet në një koalicion me PPD, Uniteti ende nuk ka qartësuar pozicionet e saj, ndërsa PDSH si parti opozitare me grup parlamentar po qëndron e vetme në skenën politike, pa përcaktim koalicioni, transmeton zhurnal.mk
“Kanë të drejtë ata që më thonë: lëri anësh shkrimet në FB dhe dil e ndihmoju atyre që merren me bashkimin e partive opozitare në Maqedoni, e të cilëve u përkulem për punën që bëjnë!
Por megjithatë, dua të them se, jam shkrimtar, e jo politikan, kështu që nuk e njoh mjeshtërinë e pastrimit të oborrit politik, nëpërmjet bashkimit të të gjitha ‘qelbësirave’ politike!? Do e përsërisë se, pa u bashkuar, partitë opozitare do pësojnë disfatë!
Por do e them publikisht edhe bindjen time se, të marrësh disa ‘kufoma’ të deridjeshme politike, të cilat ende qelben dhe ato t’i bashkosh me sinqeritetin dhe pastërtinë e një gjenerate të re politike, është si të përziesh miellin me bajga, me çka, jo vetëm që mëkaton dhe fëlliqesh, por e merr në qafë edhe atë pak miell të pastër që ke!”, shkroi Mehmeti.