Lajmet e fundit

Reagon Bahtiri: S’do të lejojë ndarje tjetër të Mitrovicës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se nuk do të lejojë ndarje tjetër të komunës së Mitrovicës përkundër presioneve që ka që disa fshatra të cilat ndodhen në veri të qytetit, por që me planin e Ahtisaarit i takojnë jugut të Mitrovicës t’i kalojnë në përgjegjësi veriut.

Në njoftim e komunës së Mitrovicës thuhet se në kuadër të aktiviteteve për realizimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e mbajtura në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Serbisë, janë parapa edhe aktivitetet për definimin e kufijve administrativ ndërmjet komunës së deritashme dhe asaj të re, të formuar në veri të Mitrovicës.

Meqë para fillimit të punës të grupeve teknike, të të dyja komunave dhe përfaqësuesve të institucioneve tjera të vendit, për caktimin e kufijve administrativ, ka tendenca nga ana e drejtuesve të komunës në veri të qytetit, që përkufizimi i kufijve administrativ të bëhet jashtë pakos së Ahtisarit, kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka ftuar të premten në një takim shefat e grupeve të këshilltarëve të partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, për të diskutuar rreth kësaj çështje.

“Fillimisht, kryetari Bahtiri i ka njoftuar këshilltarët komunalë për tendencat serbe për të devijuar nga kufijtë e përcaktuar me planin e Ahtisaarit dhe për qëndrimin e tij se në asnjë mënyrë nuk do të pranoj devijimin nga plani i Ahtisaarit, me të cilin plan shqiptarët edhe ashtu janë dëmtuar”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast kryetari Bahtiri tha se qytetarët e Mitrovicës, para së gjithash ata që jetojnë në fshatrat dhe lagjet në veri të lumit Ibër, të cilët me planin e Ahtisarit i takojnë komunës së deritashme (e cila pa vullnetin e tyre është ndarë), ndërsa serbët po kërkojnë që ata tani t’i takojnë komunës në veri, nuk duhet të shqetësohen aspak, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë me pëlqimin e tij.

“I garantoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës se do t’i mbroj me vendosmëri interesat e tyre dhe të komunës, pavarësisht presioneve të ndryshme që i kam dhe mund të kem. Po ashtu, nuk do të pajtohem kurrë që vija ndarëse ndërmjet dy komunave, e përcaktuar sipas pakos së Ahtisarit, të ndryshoj. Për këtë i kam njoftuar edhe drejtuesit më të lartë të vendit dhe përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë”, ka thënë kryetari Bahtiri në takimin me shefat e grupeve të këshilltarëve të parive politike të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës.

Të gjithë të pranishmit e kanë mbështetur qëndrimin e kryetarit Bahtiri dhe kanë kërkuar nga ai që në rast të hapjes së pjesës së pakos së Ahtisarit, që ka të bëjë me kufijtë administrativ komunal, atëherë ai të kërkoj përmirësimin e lëshimeve që janë bërë atëherë në dëm të shqiptarëve.

“Kryetari Bahtiri gjatë ditës së sotme dhe në vijim, do të takoj edhe qytetarët që jetojnë në lagjet dhe fshatrat veriore, përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta, përfaqësuesit e OJQ-ve të ndryshme, intelektualët e shumtë dhe të tjerët, për t’i njoftuar me këto qëndrime dhe aktivitetet që duhet ndërmarrë në vazhdim, në mënyrë që të kuptoj edhe qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje me rëndësi të veçantë për Mitrovicën dhe qytetarët e saj”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.