Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren sot mbajti tubim me banorët e fshatit Ramajë të Hasit. Të këtë takim morën pjesë kryetari Albin Kurti, deputeti Afrim Kasolli, kandidati për kryetar Arbër Rexhaj si dhe kandidatë për ansamble nga Lëvizja VETËVENDOSJE në Prizren.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës Afrim Kasolli tha para të pranishmëve se rajoni i Hasit deri më tani ka qenë pjesa e mënjanuar dhe më e anashkaluar nga të gjitha pushtetet e kaluara. “Si rajon kemi pësuar jashtëzakonisht shumë shkaku i politizimit për interesa të ngushta politike. Tani është koha që ky shpërdorim të ndalet. Nëse doni që në Komunën tuaj të jeni qytetarë të barabartë, me të drejta të barabarta dhe ta kemi Komunën të publikut, atëherë votojeni VETEVENDOSJEN! dhe kandidatin Arbër Rexhaj”. Kurse, Arbër Rexhaj theksoi se ndryshimi në Komunën e Prizrenit sapo ka filluar. “Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke u mobilizuar gjithandej.
Ndryshimi politik i shumëkërkuar mbetet vetëm frazë atëherë kur ai nuk shoqërohet me përkrahje dhe mbështetje qytetare. Prandaj, sot kërkojmë nga ju mbështetjen tuaj, sepse beteja jonë nuk është aspak e lehtë. Krimi, korrupsioni, nepotizmi kanë shkatërruar të gjitha shpresat e qytetarëve në komunën tonë. Detyrë e jona është rikthimi i besimit të qytetarëve dhe kthimi i karakterit publik të komunës” theksoi Arbër Rexhaj. Ndërsa kryetari Albin Kurti foli për situatën aktuale politike në të cilën po kalon Kosova, për subvencionimet që duhet ti kenë prodhuesit vendor dhe ekonominë te bazuar në prodhim.
Duke kërkuar besimin e qytetarëve, ai theksoi se “Arbër Rexhaj do të jetë zëri juaj kundër padrejtësive që iu janë bërë në të kaluarën dhe perspektiva juaj për të ardhmen. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e ardhmja” përfundoi Kurti.