Trafiku i qenieve njerëzore ka marrë përmasa të mëdha veçanërisht në vendet e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme. Por në muajt e fundit, përveç valës së refugjatëve, Italia po përballet me një numër në rritje të fëmijëve dhe adoleshentëve që udhëtojnë drejt saj të vetëm, për një jetë më të mirë. “Corriere della Sera”, i ka cilësuar si “fëmijë fantazmë”, dhjetëra adoleshentë që mbërrijnë përmes rrugëve të paligjshme në Itali.
E përditshmja italiane shkruan se gjithçka ndodh me miratimin e familjeve të tyre, të cilat u paguajnë trafikantëve mbi 2 mijë euro për çdo fëmijë, në mënyrë që të sistemohen në qytetet italiane. Por ky “sistemim” nuk ndodh në shumicën e rasteve dhe këta fëmijë përfundojnë në rrugë. Qyteti i Firences ka pritur numrin më të lartë të fëmijëve.
Udhëtimi nga Kosova zgjat shumë ditë, me një veturë ku futen 3 deri në katër të mitur. Rruga është e gjatë, nga Kosova, në Serbi, Hungari, Austri, Slloveni e më pas në tokën italiane. “Prindërit e mi kanë paguar dy mijë euro për të më dërguar në Itali. Unë nuk e di kush ishte shoferi i makinës”, thotë një 17-vjeçar në një nga qendrat e pritjes në Firence.
“Në Kosovë ka një varfëri të madhe. Nuk ka punë. Ne duam të hipim në një avion e të vijnë në Evropë, por nuk na lejohet. Pjesa më e vështirë është kufiri me Hungarinë, mua më arrestuan, qëndrova dy ditë në burg e më pas erdhi më morri një shofer tjetër”, tregon një tjetër 17-vjeçar nga Kosova. Numri i lartë i këtyre fëmijëve ka detyruar autoritetet që të rrisin kontrollet dhe të godasin grupet e trafikantëve.