Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ahmet Isufi, hyrjen e Aleksandër Vulinit në Kosovë, e ka cilësuar si mungesë e seriozitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, vendimi i mëhershëm i ekzekutivit kosovar, që t’i ndalohet hyrja në Kosovë, Aleksandër Vulinit, nuk është dashur që të ndryshohet, sepse në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës, po tregon se i mungon fuqia përballë vendimeve që zyrtarëve serb t’i ndalohet hyrja në Kosovë, gjatë fushatës zgjedhore.
“Kjo qeveri nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës, sepse është dashur që të mos ndryshohet vendimi për ndalimin e zyrtarëve serb, gjatë fushatës zgjedhore, siç është thënë më herët. Nuk duhet të lejohen që në Kosovë të hyjnë persona të cilët nxisin urrejtje në mes qytetarëve të Kosovës, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore. Ndërsa, EULEX-i, kur e vëren se Qeveria e Kosovës, është joserioze ndaj këtyre çështjeve, as ata nuk marrin ndonjë angazhim shtesë, për të ndaluar hyrjen e zyrtarëve serb në Kosovë”, ka shtuar Isufi.
Ndonëse Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të mos e lejojë ministrin pa portofol në Qeverinë e Serbisë, të ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, të hyjë në vendin tonë, siç thuhet, për shkak të shkeljes së autorizimeve që i janë përcaktuar nga autoritetet kosovare, megjithatë ai, mësohet, se tashmë ka hyrë në vendin tonë.
Bashkë me Vulinin ka ardhur edhe ministrja e Energjetikës, Zorana Mihajlovic. Sipas agjencisë serbe Tanjug, Mihajlovic dhe Vulin kanë vizituar hidrocentralin “Gazivoda”. Më pastaj do të vizitojnë edhe kombinatin “Trepça” në veri të Mitrovicës.