Lajmet e fundit

Ndryshojnë rregullat për automjetet, ndalohet shitblerja pa shlyer detyrimet

Duke nisur nga sot çdo person që dëshiron të shesë makinën, fillimisht duhet të marrë një vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, ku provohet se pronari i mjetit ka paguar të gjitha taksat.

Udhëzimi i Ministrit të Financave Shkëlqim Cani urdhëron të gjithë noterët që të mos lidhin aktmarrëveshjen e shit-blerjes së mjetit pa marrë më parë konfirmimin për pagesën e taksës vjetore të mjetit.

Udhëzimi

Në rastet e tjetërsimit të mjetit, zyrat noteriale përpara se të kryejnë procedurat e nevojshme ligjore për shitjen e tij, i kërkojnë shitësit të mjetit vërtetim nga DPSHTRR-ja nëpërmjet drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor që mjeti nuk është debitor i taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit apo nuk është i bllokuar nga organet kompetente të përcaktuara me ligj. Drejtoritë rajonale tatimore që të lëshojnë vërtetim “Për shlyerjen e detyrimeve tatimore” për çdo tatimpagues duhet të kërkojnë më parë vërtetim nga drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor për shlyerjen e “Taksës vjetore të mjeteve të përdorura”, të mjeteve në pronësi të tatimpaguesit”. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë që zbatimi i tij nis sot.

Taksat e makinave sipas ligjit në fuqi përcaktohet sipas cilindratës dhe llojit të karburantit. Sipas ligjit, taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është taksë vjetore për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë. /b.l/noa.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.