Akuzat e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Mulliqaj, i cili mbrëmë në një emision televiziv e quajti Bexhet Shalën, udhëheqës i Këshillit për Liritë dhe Mbrojtjen e Drejtave të Njeriut njeri i SHIK-ut (Shërbimi Inteligjent i Kosovës) , e kanë befasuar këtë të fundit.
Në një prononcim për ORAinfo, Bexhet Shala është shprehur se deklaratat e Molliqajt janë plotësisht të pavërteta dhe të pabazuara.
Ai ka thënë se nuk do të merret me deklaratat e Molliqajt sepse ato nuk kanë ofruar as edhe një fakt të vetëm lidhur me atë se çfarë është shprehur ai.
“Edhe unë mund të them për shembull se Dardan Molliqaj është agjent i Sigurimit Shtetëror Serb, por nuk kam fakte për këtë, prandaj dhe nuk e them siç është shprehur ai”, ka thënë Shala.
Ai u shpreh se Lëvizjes Vetëvendosje nuk po i pëlqejnë deklaratat e tija të fundit lidhur me mënyrën e hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit andaj sipas tij VV po i hakmerret për këto deklarata duke shpifur kundrejt tij.
“Po ta kishte Molliqaj këtë informatë ai do të mund ta thoshte para një muaji, ose një viti e jo pikërisht në kohën kur unë dola e thash se hedhja e gazit lotsjellës i tejkalon çarqet e protestës paqësorë dhe se VV me atë gjest e ka rrezikuar shëndetin e të gjithëve pa dallim që kanë qenë në sallë”, ka thënë për ORAinfo, Behxhet Shala udhëheqës i Këshillit për Liritë dhe Mbrojtjen e Drejtave të Njeriut./ORAinfo/