Lexojeni ragimi e ambasadorit të Kosovës në Tiranë.
Më vjen keq që mediat tona, posaçërisht portalet, për të bërë kinse “senzacion”, gjithmonë kapen pas disa gjërave që edhe ashtu janë sqaruar disa herë publikisht.
Kësaj radhe, gazeta Express zgjodhi shtëpinë e familjes sime, në Gllanasellë, për të rispekuluar për te satën herë me radhe kundër meje dhe familjes sime.
Dua të sqaroj se shtëpia e familjes sime ështe aty tash e dyqind vjet me radhë. Është e ndërtuar në tokën tonë, të cilën e kemi trashëguar nga stërgjyshit tonë. E madhe apo e vogël, ashtu siç është, është e deklaruar edhe në Agjencionin Antikorrupsion të Kosovës, që nga viti 2011. Kjo shtëpi është e ndërtuar në themelet e saj që në vitin 1992, është djegur në shtator të vitit 1998 bashkë me 2000 ekzemplarë librash dhe shume fotografi familjare te vjetra, që nga e kaluara, dokumentacione te shumta dhe me gjithë çka ka patur në të.
Shtëpia është rindërtuar menjëherë, brenda atyre rrethanave, dhe është ridjegur prapë në majin e vitit 1999.
Me pamjen e sotme, shtëpia është rindërtuar në vitin 2000.
Ndërkohë, në po të njëjtin vit, kësaj pjese ia kemi shtuar pishinën e bukur dhe në ndërkohë edhe aneksin për pritje mysafirësh e miqsh të shumtë dhe për ngjarje të mëdha të familjes sonë. Aneksi, që gazeta Express e quan pub, është i dedikuar për këto ngjarje.
Kohë më parë ishte spekuluar edhe për orën time të dorës, Rolex. Por, ashtu sikur se ajo, edhe shtëpia dhe prona tjetër e familjes sime, është e deklaruar dhe vërtetuar në AKK, me
gjendjen e tanishme si dhe prejardhjen.
Familjarisht, gjithmonë kemi qenë në situatë të qëndrueshme ekonomike. Familja jonë për dy shekuj me radhë ka mbështetur ekonomikisht edhe familje, madje edhe lagje të tëra. Familje të fshatit Çikatovë e Vjetër dhe fshatrave përreth, mund t’i pyesni për këtë, sidomos për rrethanat e viteve ’50 kur pushteti antishqiptar kishte pastruar magjet e të gjithë shqiptarëve. Me rezervat e ruajtuar dhe të fshehura nga familja jonë e madhe, një kohë të gjatë të asaj krize, jetuan edhe shumë familje të tjera.
Gjatë kohës së luftës u dogj e u rrënua e tërë lagjja jonë. Por, mbi rrënojat e tyre, të gjithë rindërtuam shtëpi të reja, të bukura e moderne. Për këtë jam i lumtur. Vetëm një familje në lagjen tonë është në gjendje më të palakmueshme ekonomike. Por, edhe këtë po mundohemi ta mbështesim të gjithë bashkë.
Deri më sot na ka munguar gjithmonë vetëm liria e vendit dhe popullit tonë. Në funksion të saj jemi angazhuar e kemi dhënë aq sa kemi patur mundësi, ashtu si të gjithë njerëzit e vendit tonë.
Andaj, të dashur përfaqësues të medias, nëse dëshironi thellimin për të hulumtuar në këtë temë, ju ftoj kurdo që të vizitoni shtëpinë dhe pronën e familjes dhe te lagjes sime. Do t’ua shtroja edhe një drekë në aneksin që Gazeta Express e ka quajtur “pub”.
Por, ju lus që të mos i keqpërdorni dhe mos i shtrembëroni fotot, të vërtetën dhe të dhënat që vetë ne, familjarisht, i kemi bërë publike nëpër rrjetet sociale.
Ejani, pra, në konakun tonë, në vendngjarje dhe raportoni saktë. Mos spekuloni!
P.s: Kurse, për fund, porositësit eventualë të këtij shkrimi, pse s’i keni pyetur se çfarë makine personale kam vozitur unë që në moshën 18-vjeçare, sa isha në vitin 1984 dhe cila ka qenë situata ime ekinomike, qysh atëherë!?