Policia në Shqipëri thotë se Luan Qari është viktima që dyshohet të ketë humbur jetën nga përmbytjet në Radhimë të Vlorës.
Trupi i 50-vjeçarit Qari u gjet pa jetë në Radhimë pasi dyshohet se u përpi nga ujërat pas shirave të rrëmbyeshm kur ishte duke shkuar në punë.
Sipas policisë, sëpaku tre persona të tjerë u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Policia e Vlorës saktësoi se në datat 10 dhe 11 tetor përmbytjet përfshinë pjesën më të madhe të qytetit.
“Si rezultat i reshjeve janë përmbytur lagjet “24 Maji”, “Pavarësia” dhe “15 Tetori”. Janë marrë masat për evakuimin e 8 familjeve me rreth 25 persona”-njoftoi policia.
Pos Vlorës, Elbasanit, Beratit, Fierit, përmbytje ka në Korçë, Maliq, Ersekë dhe në Pogradec në Shqipërinë Juglindore.
Policia tha se reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në katet e parë të banesave, shitoreve dhe bodrumeve të pallateve në lagjen 1 të Pogradecit.
Njejtë ka pasur përmbytje në Lezhë në veri të Shqipërisë si dhe rrëshqitje të gurëve dhe dherave në Rrugën e Kombit që lidh Shqipërinë me Kosovën.