Lajmet e fundit

Pse po mbahet e paralizuar AKP-ja?!

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nga fillimi i këtij viti ka mbetur pa bord. Në mungesë të bordit, AKP është paralizuar për shumë çështje.
Këto çështje lidhen me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore e që nuk mund të procedohen. Mungesa e bordit ndikon edhe në shpërndarjen e listave të reja të 20 përqindëshit për punëtorët në pritje.

Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Kuvendi i Kosovës emëron anëtarët e bordit në AKP. Tani më bllokimin e punimeve në Kuvendin e Kosovës po duket se mungesa e bordit do të vazhdojë edhe për një kohë.

KosovaPress mëson nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, se qeveria ende nuk ka asnjë emër dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë çështje.

Po ashtu, as anëtarët e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, nuk kanë marrë listë me emra të anëtarëve të mundshëm për bord të AKP-së.

Blerim Grainca, anëtar i këtij komisioni tha se kjo çështje është shqetësuese edhe për deputetët e komisionit.

“Bordet e ndërmarrjeve publike janë në procedurë dhe se janë kompletuar, por presim që qeveria të sjellë emrat … Nuk mund t’ju them më shumë se çështja është e qeverisë. Pra është e drejtë ekskluzive e qeverisë. Neve po presim që kjo të procedohet nga qeveria dhe sa më shpejtë të kompletohet bordi. Unë po shpresoj që AKP do të kompletohet shpejt. Jemi në pritje”, tha Grainca.

Ish anëtari i bordit të AKP-së, Haxhi Arifi, i cili në bordin e AKP-së përfaqëson ish punonjësit e ndërmarrjeve shoqërore tha se qeveria duhet të ndryshojë ligjin e AKP-së, në mënyrë që të emërohen anëtarët.

“Ligji aktual thotë se duhet të emërohen 8 anëtar të bordit, 3 prej tyre duhet të jenë ndërkombëtar dhe pikërisht kjo çështje duhet të rregullohet me ligj, të ndryshojë, në mënyrë që të emërohen 8 anëtar vendor të bordit”, tha Arifi.

Ai ka vlerësuar si bllokadë edhe mungesën e bordit të AKP-së.

“Ka shumë ndërmarrje, meqë nuk ka bord, që është dashur ta marrin këtë 20 për qindësh, por pa kaluar përmes bordit pa u aprovua në bord ato nuk mund të shpërndahen. Ky është një hendikep për punëtorët të cilët e presin kët ë 20 për qindësh qe një kohë të gjatë”, tha Arifi.

Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së, tha se mungesa e bordit ka lënë shumë punë pezull.

Sipas tij, janë listat e reja të punëtorëve për shpërndarjen e 20 për qindëshit, mandej edhe shitjet dhe ndarja e mjeteve për buxhetin e Kosovës që nuk mund të bëhet pa miratim të bordit të AKP-së.

Kaloshi tha se problem tjetër që Agjencia ka janë vendimet e odës së veçantë të Gjykatës Supreme, të cilët i neglizhojnë vendimet dhe si pasoj janë 29 milion euro mjetet që janë të aprovuara nga bordi por që presin aprovimin.

Ndërsa për këtë çështje duket se e kanë rreptësisht të ndaluar të flasin njerëzit nga të cilët po pritet tash e sa muaj. Të kontaktuar disa herë nga KosovaPress, zëdhënësi dhe të tjerë anëtarë të kabinetit të kryeministrit Mustafa, nuk ishin në gjendje që të deklarohen ndaj këtij rasti, duke u përgjigjur me “pa koment”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.