Kosova pritet ta përfundojë në nëntor projektin e “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë, ndërkohë që për krijimin e kushteve të sigurisë në punët që vazhdojnë edhe javën e ardhshme do ketë ndërprerje të energjisë në linja lokale.
Bëhet e ditur se, “me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë për realizimin e punimeve në kuadër të projektit për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV NS Kosova B-NS Tirana 2, nga 14 deri në 17 dhe në 19 e 20 tetor, nga ora 08:00 deri në 11:00 si dhe nga ora 13:00 deri në 16:00, do të ketë ndërprerje linja LP 0.4 kV Dobrosh-Gjakovë”.
“Ndërprerja e energjisë bëhet për të mundësuar punimet në linjën 400 kV Kosovë-Shqipëri”, thekson njoftimi i dërguar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, kompania publike e cila merret me planifikimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga ATSH në një konferencë për shtyp në muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.
“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punuar që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.
Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. /ATSH/