Fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti mund të mbahet mend për një fluks të madh emigrantësh kosovarë që ua mësyn shteteve evropiane, në kërkim të një jete më të mirë. Ishin me mijëra kosovarë, që dikush i vetëm e dikush me familje, duke mos parë perspektivë në Kosovë dhe nga kushtet jo të mira, morën në rrugën ilegale drejt vendeve të BE-së, kryesisht Gjermanisë.
Por, me të arritur atje, sinjale jo të mira morën nga këto shtete pasi, po thuajse që të gjitha gjatë tërë kohës përsërisnin se qytetarët nga Kosova nuk mund të jenë fitues të azilit politik, sepse azili kërkohet vetëm kur vendi është në krizë dhe kur qytetarët e atij vendi janë në persekutim fizik, racial, politik e fetar.
Dhe, ashtu ndodhi. Qysh në muajt e parë të vitit 2015 këto shtete evropiane, të cilat ishin cak i azilkërkuesve kosovarë, nisën kthimin e emigrantëve kosovarë, kthim ky që po vazhdon edhe më tutje.
Shënimet statistikore tregojnë se që nga janari i vitit 2015 e deri më tash në Kosovë janë kthyer afër 15 mijë emigrantë.
Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka konfirmuar për KosovaLive se mbi 10 mijë janë të kthyer nga Gjermania, ndërsa të tjerët nga shtetet e tjera evropiane.
“Që nga janari e deri më tash në Kosovë janë kthyer afër 15 mijë qytetarë, kthim ka po thuajse çdo ditë nganjëherë ndodhë dy herë në javë pra në vazhdimësi. Prej 15 mijë, mbi 10 mijë janë vetëm nga Gjermania të kthyer. Të kthyer ka edhe nga shtetet tjera si Belgjika, Franca, Austria, Suedia, Luksemburgu”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka përsëritur se përkrahje materiale dhe financiare përfitojnë ata persona që e kanë lëshuar Kosovën para korrikut të vitit 2010.
“Ata përfitojnë nga platforma e riintegrimit që është e përcaktuar edhe me rregulloren për riintegrim. Procesi i riatdhesimit shkon nëpërmes Departamentit për Migracion kështu që ne bëjmë verifikimet për riatdhesim.
Përgjegjësia jonë është deri sa ata të arrijnë në pikat kufitare të Kosovës, kurse pasi ata kalojnë kufirin, atëherë me ta merret Departamenti për Integrim dhe Institucionet tjera të shtetit”, ka thënë Krasniqi.
Në mesin e qytetarëve të kthyer është Blerim Hyseni, nga Komuna e Podujevës, i cili në muajin gusht u kthye me forcë nga shteti gjerman së bashku me gruan dhe 4 fëmijët e tij.
Ai thotë për KosovaLive se para se të merrte rrugën e migrimit kishte shitur tokë për të siguruar paratë, ndërsa shprehet i zhgënjyer që nuk pati mundësi të përfitonte azil në këtë shtet.
“Në fund të gushtit bashkë me gruan dhe 4 fëmijët na kthyen nga Gjermania ku kishim qëndruar që nga muaji shkurt. Tash i jemi kthyer jetës së vjetër. Unë jam i papunë, ndërsa 3 fëmijët e mëdhenj i kam në shkollë.
Është e vështirë sepse edhe të gjesh punë këtu nuk është aspak lehtë por shpresojmë se na ndihmon Zoti e bëhet diçka mirë. Po ta dija se nuk do të mund të bëjmë asgjë s’do të merrja këtë rrugë”, thotë Hyseni.
Edhe Besart Berisha, një 21 vjeçar nga Prishtina, i cili kishte lënë në gjysmë studimet për të migruar jashtë thotë se pas kthimit në Kosovë i është rikthyer sërish Fakultetit.
“Kushtet jo të mira kanë qenë arsyeja pse pata lënë studimet në gjysmë dhe pata migruar. Gati katër muaj kam qenë në një kamp në Gjermani së bashku me shumë shqiptarë dhe para dy muajsh u ktheva vullnetarisht, sepse e pash që nuk ka gjasa për azil. Tash i jam rikthyer studimeve në Fakultetin Juridik. jetoj me shpresën se në vendin tonë do të ndryshoj diçka në aspektin pozitiv, të hapen vende pune për ne”, ka thënë ai për KosovaLive.
Në një raport të publikuar në muajin prill nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thuhet se gati gjysma e familjeve (47%) raportojnë se kanë anëtarë të familjes jashtë vendit.
Në raport theksohet se arsyet kryesore për migrim nga Kosova që ndodhën në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti lidhen me kushtet e varfërisë socio-ekonomike.