Lajmet e fundit

Opozita ende s’ka vendosur për organizimin e protestave

Partitë opozitare po shkojnë pashmangshëm drejt organizimit të protestave kundër Qeverisë së Kosovë të udhëhequr nga Isa Mustafa.

Por, ende s’kanë vendosur se kur do të dalin në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Kjo për shkak se po i frikësohen mungesës së mbështetjes qytetare. VV, AAK dhe NISMA deri më tash vetëm e kanë krijuar ambientin për të dalë në rrugë, shkruan Express.
Deri më tash, Vetëvendosje, NISMA dhe AAK kanë protestuar brenda Kuvendit të Kosovës. Së fundmi, kanë hedhur edhe gaz lotsjellës në sallën e Parlamentit.
Sidoqoftë, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se ende s’e kanë caktuar datën e fillimit të protestave.
“Nuk ka datë se kur do të mbahen protestat”, ka thënë Selimi, për Gazetën Express.
“Qëndrimet e opozitës janë të përbashkëta, por datë nuk ka”, ka shtuar ai.
Aktualisht, opozita me në krye Ramush Haradinajn, Visar Ymerin e Fatmir Limajn po kërkojnë të tërhiqet nënshkrimi i Kryeministrit nga marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si dhe po kërkojnë të prishet marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Asnjërën prej këtyre dy kërkesave s’po e pranon Qeveria. Isa Mustafa e Hashim Thaçi kanë deklaruar se VV, AAK e NISMA po tentojnë të marrin pushtetin përmes dhunës dhe anarkisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.