Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, brengoset se do të fillojë manipulimi me numrin e mjekëve me të drejtë vote për Odën e Mjekëve të Kosovës.
Në komunikatën për medie, pasi thekson se në vazhdimësi ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në procesin e reformave në shëndetësi, të paralajmëruara nga Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe rikujton edhe kontributin në zgjedhjet për Odën e Mjekëve, në cilësinë e vëzhguesit.
Por shton se “Brengat kryesore të FSSHK-së janë manipulimi me numrin e mjekëve me të drejtë vote (në një e përditshme shkruan se për Odën e Mjekëve do të votojnë 4200 mjekë, kurse në ditën e votimit në të njëjtën thuhet se në votime do të dalin 2975 mjekë).Federata posaçërisht shfaqet e brengosur dhe dyshuese janë vendet e rezervuara të paraqitura nga Komisioni Qendror Zgjedhor, 36 vende të rezervuara , 7 vende për psikologë (ku është i përcaktuar ky numër dhe kush do t’i emërojë ata), 10 vende për sektorin privat (kurse në rregullore për zgjedhje të Odës Mjekësore parashihet 5 vende ), 14 vende për komunitete (kush i emëron dhe në bazë të cilës kuotë janë zgjedhur), dhe 5 vende për diasporën, shtron dilemat ajo.
Nëse shkohet me 36 vende të rezervuara në Kuvend prej 137 anëtarëve, që në përqindje i bie afër 30%, kemi frikën se me këtë përbërje fituesi në këtë Kuvend është i paragjykuar. Prandaj Federata e Sindikatave të Shëndetësisë kërkon nga ta që të jenë syhapur dhe të mos bëhen pjesë e manipulimeve të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë Kuvendit zgjedhor, thuhet në një njoftim.