Forca të shumta të policisë kanë rrethuar banesën ku jeton drejtori i suspenduar i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi. Lajmin për Gazetën Blic e kanë konfirmuar burime brenda policisë.
“Forca të shumta të policisë kanë rrethuar banesën ku jeton Nexhmi Krasniqi, në Prizren”, ka thënë ky burim duke mos dhënë detaje tjera.
Në anën tjetër, askush nga policia nuk ka dhënë informacione për këtë rast.
Baki Kelani, zëdhënës i PK-së ka thënë se ai nuk ka informacione për një gjë të tillë.
Para disa ditësh, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar drejtori Nexhmi Krasniqi.
Në anën tjetër, kryeprokurori për rajonin e Prizrenit, Sylë Hoxha u ka thënë medieve se ai nuk ka informacione se për çka po hetohet Krasniqi.
Sipas Hoxhës, hetimet ndaj tij është duke i zhvilluar Inspektorati i Policisë së Kosovës.