Bashkim Fazliu
“INVICTUS” apo “I pamposhturi”, është filmi, kujt kujtohet, që bënte fjalë për një ekip të ragbit të Afrikës së Jugut, i cili do të frymëzonte dhe do të bashkonte një popull e një vend të ndarë. Nën interpretimin e shkëlqyer të Morgan Freeman në rolin e Nelson Mandelës, dhe kapitenit të interpretuar nga Matt Demon, shikuesi do të emocionohet kur sheh fuqinë e një kombëtareje dhe triumfin e saj, me misionin kryesor – të bashkonte vendin dhe popullin e ndarë!
E nisa me këtë film, për të treguar se nganjëherë na duken disa gjëra e veprime të vogla e të papeshë siç është një lojë futbolli apo gjëra të ngjajshme, por që ka ndodhur shumë herë të inspirohet një popull i tërë. Ka me mijëra shembuj të tillë frymëzimi që të ngjethin mishrat. Ne shqiptarët e dimë këtë më së miri. Ne kemi gjetur përherë frymëzime duke nisur që nga Skënderbeu e flamuri ynë Kombëtar – Shqiponja e zezë dykrenare në sfondin e kuq, si kryefrymëzim i yni, e gjer tek Komandantit legjendar Adem Jashari, rënja heroike e të cilit bëri që të ngritej i tërë populli shqiptar në këmbë kudo në botë. Por, asnjëherë në historinë tonë kombëtare, nuk ka qenë kombi i shpërndarë më i lidhur, më i bashkuar, se sa me evoluimin e kombëtares tonë. Do të duhej të vinte një fitore e madhe e 4 Shtatorit 2004 kundër Greqisë, pasuar nga një tragjedi ku u vra një shqiptar me flamur, që të fillonte me të madhe dashuria për Kombëtaren tonë. E për më tepër – andej kufirit, do të fillonte të kthehej dashuria për simbolin e shenjtë të humbur – Flamurin Kombëtar, pasi ish regjimi diktatorial do t’ia rrënonte ndjenjën e të qenurit shqiptar pothuajse çdo shqiptari nën diktaturë, dashurinë edhe ndaj këtij simboli tonë të shenjtë. Dhe padyshim do të ishin tifozët KUQeZI ata që do t’i prinin në të madhe këtij sensibilizimi – duke shpalosur edhe flamurin e madh në tribunën shqiptare, e sidomos duke jehuar refreni “O hej, ohej O sa mirë me qenë Shqiptar o hej o hej”. Emrat si Cana, Bushi, Balaj, Strakosha, Berisha, Basha, Gashi, Tare, Bogdani, Lenjani, Xhaka, Lila, Lala, Duro, Agolli, Cikalleshi, Mavraj etj., do të ngelin në mendjen e çdo shqiptari dekadën e fundit, ku kjo Kombëtare arriti të bashkojë një popull të ndarë. Dhe më tej, do të duhej të dilte një Ballist me një Dron, për t’iu rikujtuar të gjithëve se kah i kemi çadrat, se ku janë kufijtë tanë të Shqipërisë Natyrale….
Kjo Kombëtare prodhoi dy rezultate që për mua mbesin fitoret më të mëdha: Riktheu në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari që nga fëmijët e vegjël e gjer tek pleqtë Flamurin kombëtar dhe Hartën e Shqipërisë Natyrale dhe bashkoi një Komb të shpërndarë në tërë Planetin! Kur sot sheh fëmijët shqiptarë të vishen me flamurin tonë kombëtar dhe me hartën e Shqipërisë natyrale, atëherë ta dini të sigurtë se se ky shekull vërtetë është shekulli i Shqiptarëve! Bashkimi bën fuqinë dhe këtë e dëshmoi më së miri Kombëtarja jonë dhe për të funksionuar edhe më tje dhe më mirë, edhe Federata e Futobollit Shqiptar duhet të ketë përbërje nga të gjitha trevat shqiptare, që t’mos përjashtohen talentet shqiptare nëpër botë, sikur ka ndodhur fatkeqësisht. Të bashkuar e të koordinuar, bëjmë mrekullira! Prandaj edhe për të rritur konkurrueshmërinë e Kombit tonë, dy vendeve tona Kosovës dhe Shqipërisë pata përgatitur “14 Rekomandime për Kosovë dhe Shqipëri” nga zbatimi i të cilave ne do të bëhemi Lider në Rajon! Këto 14 Rekomandime u kam dërguar të gjitha Institucioneve në Kosovë dhe në Shqipëri.
Asnjë rrugëtim drejt majave nuk është i lehtë. “Dështimi është thjesht një mundësi për të filluar përsëri. Këtë herë me më inteligjencë.” – potenconte Henry Ford. Dhe nuk duhet asnjëherë të dekurajohemi kur të rrëzohemi, se rrëzohen të gjithë, por do të duhej të turpërohemi po të mos ngritemi. Dhe ne, përherë do të ngritemi! Unë kam besim tek populli ynë i lashtë! Vazhdoni të besoni dhe të krenoheni se jemi shqiptarë, bij të shqipeve dhe nga vendi i shqiponjave!
Francë na prit! Urime gjithë shqiptarëve kudo që janë!
PO NE MUNDEMI
#KUQeZI
#UNEBESOJ
Me respekt,
Bashkim Fazliu MIGJENI
12.10.2015