Nisma për Kosovën ka reaguar në lidhje me arrestim e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti.
Nisma ka vlerësuar se arrestimi i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga policia e Kosovës, dëshmon edhe njëherë se qeverisja aktuale është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm që të ruajë pushtetin e saj dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë. “Përderisa në njërën anë në raport me Serbinë është e gatshme të sillet deri në përulje dhe të pranoj marrëveshje të cilat e sjellin Kosovën në një pozicion pothuajse kolonial në raport me Serbinë, në anën tjetër me mjete policore godet kundërshtarët e këtyre marrëveshjeve. Koalicioni qeverisës bën mirë të shikoj edhe njëherë historinë e Kosovës dhe do ta sheh se sa më shumë forcë policore kanë përdorur regjimet në këtë vend aq më shumë e kanë rritur gatishmërinë e popullit për rezistencë. Prandaj hiqni dorë nga rruga e demonstrimit të forcës. Sot, se nesër mund të bëhet vonë”, është thënë në reagimin e Nismës.