Lajmet e fundit

Në Prizren protestohet kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit!

Në Prizren është paraparë për sot një protestë kundër arrestimit të ish-komandantit të UÇK-së Xhemshit Krasniqi.

Shoqatat e dala nga lufta dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit do të organizojnë marsh protestues kundër arrestimit të komandantit të UÇK-së, Xhemshit Krasniqi.

Marshi protestues do të fillojë të mërkurën në mesditë në Sheshin e UÇK-së te rrethi i Spitalit Rajonal të Prizrenit për të vazhduar drejt sheshit “Shatërvan”.

“Ju ftojmë për pjesëmarrje masovike. Duke nderuar çlirimtarët dhe luftën e UÇK-së, nderojmë të kaluarën dhe të ardhmen tonë,” thuhet në ftesën e lëshuar nga organizatat e dala nga lufta.

Xhemshit Krasniqi u arrestua më 6 tetor nën dyshimet për krime lufte, ndërsa një ditë më pas atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh.

Prokurorët e EULEX-it në seancën e caktimit të paraburgimit ndaj Xhemshit Krasniqit thanë se kanë prova për të dëshmuar se në mes prillit dhe majit të vitit 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte ndërtuar në territorin e Shqipërisë dy kampe të paraburgimit ku janë keqtrajtuar disa të burgosur shqiptarë dhe romë.

Për keqtrajtime të tilla dyshohet Xhemshit Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.