Një muaj e gjysmë me dhimbje të vazhdueshme. Ky është rezultati pas lindjes me prerje cezariane për Elmedina Haxhiun, pasi mjekët në Gjinekologjinë e Çairit kanë harruar brenda mitrës së saj pambuk, fashë dhe material plastik, akuzon familja saj. Vjehrri i Elmedinës para kamerës së Alsat-M shpjegoi se edhe pse këto materiale janë nxjerrë nga trupi i saj, nusja e djalit të tij ka dhimbje të tmerrshme për shkak të gabimit mjekësor. Ai kërkon përgjegjësi.
“Problemin e kemi raportuar shumë herë. Djali me nusen ishte atje para tre ditësh. E raportuam atë që doli nga plaga, qelbin, e raportuam këtu. Djali bëri disa incizime, nuk e di çfarë bëri pastaj. Ka vetëm dhimbje”, tha Axhi Hujuaku, vjehrri i Elmedinës.
Familja thotë se mjeku që bëri operacionin nuk punon më në këtë institucion, por është zhvendosur në spitalin e Tetovës. Alsat M e kontaktoi drejtorin e gjinekologjisë së Çairit, Bashkim Ismaili, i cili shpjegoi se ishte në dijeni të rastit dhe ka biseduar me familjen. Ismaili tha se i ka thirrur në takim të afërmit e Elmedinës, për të marrë masa për përcaktimin e përgjegjësisë për rastin.