Kultura dhe projektet e saj janë të margjinalizuara në kryeqytet, pasi mbështetja e komunës është shumë e vogël, për të mos thënë se nuk ekziston fare. Kështu ka thënë kandidati për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, në forumin kulturor me kandidatët për kryetar të Prishtinës, me temë “Programet për kulturë të kandidatëve të Prishtinës”, të mbajtur sot në teatrin “Oda”.
Çeku me këtë rast u ka premtuar artistëve që ishin prezentë në këtë debat, se asnjë vendim për kulturën nuk do ta marrë pa konsultimin e tyre. Ai u ka dhënë edhe një premtim tjetër, duke u thënë se drejtori i Drejtorisë për Kulturë, do të jetë njëri prej njerëzve të kulturës. “Ndër hapat e parë që do t’i ndërmarrë me t’u bërë kryetar i Prishtinës, është përzgjedhja e ekipit dhe në këtë ekip drejtorin e Drejtorisë së Kulturës do ta kem njërin nga ju. Pra, asgjë nuk do të bëjë për kulturën, pa njerëzit e kulturës”, ka thënë Çeku.
Për më tepër, ai premtoi edhe themelimin e një bienaleje në Prishtinë. “Nëse ajo e Vjenës quhet Vienale, pse edhe ne mos ta kemi një të tillë të cilën do ta emërtonim si Prienale”, ka thënë Çeku.
Qeveria e Prishtinës, e drejtuar prej tij, sipas Çekut, një fokus të veçantë do t’i jap edhe objekteve të trashëgimisë kulturore.