Lajmet e fundit

Rektori i qetë: E ndërroj pozitën, por jo idenë (Video)

E filloi mandatin me protesta të organizatave të veteranëve të luftës që kërkonin privilegje për fëmijët e këtyre kategorive për regjistrim në universitet.
E vazhdoi me protesta të një grupi të studentëve për më shumë afate provimi dhe me ‘rebelimin’ e disa senatorëve që kërkonin rrugë të shpejtë avancimi akademik.

Dhe, aktualisht është duke pritur një mbledhje kritike të Këshillit Drejtues në të cilën një nga pikat e rendit të ditës do të jetë shkarkimi i tij nga posti i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ky është viti i Ramadan Zejnullahut në krye të universitetit.

Ai është emëruar në këtë pozitë në shtator të vitit të kaluar, disa muaj pasi ky institucion u fut ujërave të turbullta për shkak se ish rektori i tij, Ibrahim Gashi, u zu se kishte publikuar punime shkencore për nevoja të avancimit të tij nëpër revista të dyshimta shkencore.

Në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ishte ulur në karrigen e nxehtë, Zejnullahu kishte folur për emisionin “Jeta në Kosovë”, përballë Jeta Xharrës, për planet e tij se ku synon ta çojë universitetin më të vjetër dhe më të madh në vend gjatë mandatit të tij në krye të institucionit.

Një vit më pas, në të njëjtin emision Zejnullahu u përball me ato premtime që kishte dhënë duke filluar nga avancimet të cilat deri tani janë bërë në bllok dhe pa shikuar mirë në plotësimin e kritereve të kërkuara.

Frenimi i këtij fenomeni e ka hasmuar Rektorin me shumë senatorë dhe ia ka bërë të lëkundshme karrigen.

“Unë nuk do të nënshkruaj vendime që nuk janë në përputhje me ligjin. Duhet të gjendet dikush tjetër të nënshkruaj”, ka thënë Zejnullahu në ‘Jeta në Kosovë’.

Sipas tij, deri më tani, gjatë një viti të qeverisjes së tij, askush nuk është avancuar pa i plotësuar kriteret. Ai thotë se edhe ashtu, kriteret e kërkuara për avancim janë minimale dhe nuk e arrijnë 30 përqindëshin e kritereve të kërkuara në Maqedoni, e lëre më në ndonjë shtet tjetër me arsim më të zhvilluar.

Telashet më të mëdha ai i ka në dekanët të cilët u treguan më të zëshmit në kundërshtimet që ia bënë gjatë mbledhjeve të zhurmshme të Senatit. Megjithatë, Zejnullahu thotë se më shumë se gjysma e dekanëve e mbështesin idenë e tij për reforma.

Të hënën pritet të mbahet një mbledhje e Këshillit Drejtues të Universitetit në të cilën raportohet se njëra nga pikat e rendit të ditës është edhe shkarkimi i tij. Por, Rektori duket se nuk e çan kokën për fatin e tij.

“Çkado që të ndodh, unë jam i qetë dhe në vete i plotësuar. Unë nuk kam ardhur të taktizoj nga dita e parë”, tha ai.

“Kam thënë se do të jem rektor derisa ideja ime mund të zhvillohet. Në atë moment që ideja ime nuk mund të zhvillohet dhe unë duhet ta ndërroj atë dhe të përshtatem me njerëzit dhe idetë të cilat kam ardhur t’i luftoj, unë do ta ndërroj pozitën por jo idenë”.

Për 15 vitet e pasluftës, Universiteti të cilin e drejton Zejnullahu ka qenë synim i politikës vendore për t’u bërë strehë militantëve me diplomë dhe për t’u dhënë diplomë, grada universitare, vende të rezervuara pune dhe avancime zyrtarëve të lartë politikë. /Kallxo

Leave a Reply

Your email address will not be published.