Mbijetesa e koalicionit aktual qeverisës tashmë ka mbetur e varur nga numrat në Kuvendin e Kosovës. Sipas të gjitha përllogaritjeve dhe analizave, ky koalicion dhe kjo qeveri, tashmë nuk kanë 60 vota plus.
Por, kjo nuk nënkupton që opozita i ka 60 vota, pasi që këtë shifër e pamundëson neutraliteti i një numri të caktuar deputetësh, shkruan “Tribuna”.
Andaj pritjet janë jo vetëm nga analistët, por edhe përfaqësuesit politikë, që caktimi i zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme parlamentare të jetë një nga temat boshte të spektrit politik pas përmbylljes së procesit elektoral të 3 nëntorit.
Seancat e fundit të Kuvendit kanë dështuar për mungesë të kuorumit. Këto seanca, ku kryesisht është trajtuar çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, kanë vërtetuar se as pozita, dhe as opozita, aktualisht nuk kanë shumicën, ndërsa një numër deputetësh mbajnë qëndrime neutrale.
Ky numër i deputetëve me “statusin” neutral, kryesisht i takon fraksionit të PDK-së që tashmë është shumë evident.