Lajmet e fundit

Një rrugë në Ferizaj që nga sot mban emrin e Enver Hoxhës

Që nga sot një rrugë e fshatit Varosh të Ferizajt do ta mbaj emrin e ish-liderit komunist Enver Hoxha.

Pllaka me mbishkrimin është vendosur nga përfaqësuesit e Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Enver Hoxhës, një formacion ky politik që tubon ithtarët e enverizmit, e të cilët e kishin zgjedhur këtë formë për ta shënuar ditëlindjen e 107 të tij si dhe 5 vjetorin e themelimit të këtij formacioni politik.

Kryetari i Fronti, Remzi Hasani, ka thënë me këtë rast se epoka që mbanë emrin e Enverit është epoka e njeriut që luftoi dhe punoi për çlirimin dhe emancipimin e kombit dhe ndërtimin e fatit të atdheut.

“Ky vigan i madh i popullit shqiptar tërë jetën e tij e konceptoi si një detyrim ndaj atdheut. Dhe pikërisht për këtë arsye edhe koha në të cilën ai jetoi dhe veproi e morri emrin e tij”, ka thënë Hasani në tubimin e frontistëve.

Për më tepër, Hasani, është ndalur edhe te formacioni që e drejton duke vë në dukje se është formacioni i vetëm politik në hapësirat shqiptare që pa u lëkundur po ecë rrugës së Enverit.

“Formacioni ynë politik përulët me respekt të madh para këtij burri dhe epokës që ai përfaqëson”, ka nënvizuar kryetari i Fronti, Remzi Hasani.

Për figurën e Enver Hoxhës folën edhe anëtarët tjerë të frontit që kishin ardhur nga Maqedonia, si Selver Bekteshi, pastaj sekretari i frontit Agim Xhigolli si dhe publicisti Erald Selca.

Të pranishmit më pastaj kanë shikuar edhe një dokumentar të prodhimit rus, në të cilin pasqyrohej konflikti shqiptaro-rus rreth bazës ushtarake të Vlorës. Frontistë kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, për të vazhduar pastaj me një defilim me makina rrugëve të Ferizajt. Vendosja e pllakës së rrugës me mbishkrimin Enver Hoxha është bërë nga aktivisti i frontit Asim Mjaku, i cili ishte kujdesur edhe për dizajnin e saj.

Kryetari i Frontit, Remzi Hasani, ka thënë se pllaka është vendosur në një pronë private dhe se për këtë nuk e kanë parë të udhës të kërkojnë leje nga organet komunale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.