Sot u bënë dy vjet që nga mbajtja e mbledhjes së parë ndërmjet dy kabinete qeveritare të Kosovës dhe Shqipërisë.
Nga atje dy krerët e qeverisë Edi Rama dhe Hashim Thaçi, e patën cilësuar këtë mbledhje si “takim që shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës”.
Takimi i parë kujtohet si takim historik edhe nga përfaqësuesi i diplomacisë shqiptare në Kosovë, ambasadori Qemail Minxhozi. Ambasadori i Shqipërisë tha për KosovaPress se si sot dy vjet më parë është bërë mbledhja e parë e dy qeverive, në qytetin e Prizrenit.
Takimin, Minxhozi e quan historik ngase për herë të parë u institucionalizuan marrëdhëniet mes dy qeverive me projekte konkrete për çdo ministri, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Minxhozi: Ishte arritje historike, efektet ishin 40 përqind në ekonominë e dyja vendeve
“Gjatë dy viteve të fundit, kur j anë bërë edhe mbledhjet e përbashkëta, rritja ekonomike ka qenë e dukshme në masën 40 përqind. Por nga ana tjetër janë vendosur edhe marrëdhënie midis institucioneve edhe në fusha të tjera. Në fushën jo thjeshtë të shkëmbimit tregtar ekonomik , por edhe në fushën e arsimit të shkencës dhe ministrive të ndryshme që kanë pasur një bashkëpunim shumë të rëndësishëm. Natyrisht pritet shumë më tepër, ambicia është për të vazhduar shumë më tepër, por të theksoj një diçka që ishte tepër e rëndësishme si gur themeli i institucionalizimit edhe njëherë të këtyre marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës nëpërmjet marrëveshjeve, nëpërmjet agrementeve të ndryshme, nëpërmjet unifikimit të praktikave të ndryshme në gjithë sektorët e jetës”, tha Minxhozi.
Ai po ashtu tha se shifrat e shkëmbimit të mallrave janë dyfishuar prej vitit 2013, e kjo ka ndodh si rezultat i marrëveshjeve.
Minxhozi: Nga viti 2013 u rritën shkëmbimet tregtare
“Po në qoftë se deri në vitin 2013 midis Shqipërisë dhe Kosovës ka pasur një volum shkëmbimesh aty te 120 milionë euro, nga 2013 deri tani pothuajse kjo shifër është dyfishuar . Ka qenë shumë e rëndësishme, deri në atë kohë ne kemi pasur një marrëdhënie sporadike, do të thosha jo e kornizuar me elementë të ndryshëm që i japin hov përparimit të marrëdhënieve në fushën ekonomike kryesisht . Këto dy vitet e fundit , vitet 2014-2015, këto çështje edhe janë formatizuar. Natyrisht ne kemi pritshmëri më të mëdha por arritjet janë të dukshme”, tha Minxhozi.
Ambasadori po ashtu tha se duhet të punohet në mënyrë që bizneset e të dyja vende të kenë lehtësira në bërjen e biznesit.
Minxhozi: Mbetet punë për t’u bërë
“Bizneset kërkojnë që të kenë sa më tepër lehtësira. Si për biznese të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe ne po mundohemi që këto lehtësira të ju ofrojmë këtyre bizneseve, por ka edhe burokraci. Gjithsesi, nga viti në vit duke parë që edhe vlera e shkëmbimit të mallrave po rritet, këto lehtësira janë dhe po bëhen më të padukshme. Megjithatë prapë punë e madhe ngelet përpara për tu bërë”, tha Minxhozi.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi tha për KosovaPress nëpërmes postës elektronike se në kuadër të partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria kanë bërë një progres shumë të madh gjatë këtyre viteve, veçanërisht pas dy mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive.
“Në mbledhjen e parë të mbajtur më 11 janar 2014 në Prizren, është nënshkruar Deklarata e Partneritetit Strategjik, dhe një varg marrëveshje s të karakterit bilateral si dhe janë marrë shumë vendime me rëndësi strategjike. Prej atyre vendimeve që janë marrë në Mbledhjen e Prizrenit, mbi 90 përqind e tyre janë zbatuar deri tani. Ndërkaq, pas takimit të Prizrenit, më 23 mars 2015 është mbajtur edhe mbledhja e dytë e qeverive në Tiranë, ku janë nënshkruar 12 marrëveshje, memorandume dhe protokolle mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushat e sigurisë, ekonomisë, arsimit, bujqësisë, kulturës, si edhe lehtësirave tregtare mes dy vendeve”, tha Abrashi.
Sipas tij, ka progres të gjithanshëm konkret në shumë fusha, ku përmendet edhe shkëmbimi i mallrave mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku gjatë vitit 2015 ka pasur rritje prej rreth 20 milionë euro të eksporteve dhe importeve, kundrejt vitit 2014.
Po ashtu ai tha se ka pasur një aktivitet ekonomik të ndërsjellë të rritur edhe kjo në vlerë monetare llogaritet rreth 200 milionë euro, që do të thotë është rr eth 20 milionë euro më tepër se vitin e kaluar.
“Ka pasur rritje të eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Gjithashtu, edhe rritje të eksporteve të Shqipërisë në Kosovë. Një gjë të dukshme në këto eksporte kanë zënë produktet bujqësore. Ja vlen të përmendet inaugurimi i “Autostradës Energjetike” Kosovë-Shqipëri, me ç‘rast, më 17 dhjetor 2015 është inauguruar projekti “Rregullimi sekondar, Frekuencë-Fuqi, Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonjetive 400 Kv deri në kufirin me Shqipërinë. Ky projekt modern energjetik hap perspektivë të jashtëzakonshme në bashkëpunim të drejtpërdrejtë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës kurse me Shqipërinë pritet të përfundoj autostrada energjike në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky projekt energjetik me Shqipërinë do të krijojë kushte për furnizim me energji, shpërndarje, cilësi dhe hapje të tregut të liberalizimit me efekte të larta mjedisore”, tha Abrashi.
Ndryshe , takimi ishte cilësuar në atë botë nga dy kryeministrat si historik i cili ndodhte për herë të parë në historinë e dy shteteve. Në këtë datë u nënshkrua “deklarata për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”. Kjo marrëveshje përfshinte fushën e transportit dhe infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar. E po ashtu u pajtuan që të themelohet edhe një fond i përbashkët për Luginën e Preshevës. Shqipëria dhe Kosova, po përgatiteshin që të mbajnë edhe mbledhjen e dytë në nivel të lartë. M e 23 mars të vitit 2015, u takuan sërish por tash Kosova përfaqësohej nga një kryeministër tjetër, Isa Mustafa. Kryefjala e mbledhjes së dytë të dy qeverive ishte thellimi i partneritetit strategjik i Shqipërisë me Kosovën, i cili në një vit kishte njohur progres të rëndësishëm edhe në fushën e politikës së jashtme.
Në këtë mbledhje u nënshkruan këto marrëveshje, memorandume dhe protokolle:
1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profe sional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Repu blikës së Kosovës./KosovaPress